14 të vdekur pas shpërthimit të një zjarri në spitalin antiCovid-19

Zjarri që shpërtheu mbrëmë rreth orës 21:00 në spitalin e Tetovës shkaktoi të paktën 14 viktima. Në shuarjen e zjarrit morën pjesë më shumë se 30 zjarrfikës me shtatë automjete. Autoritetet njoftuan një hetim të detajuar për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa për sot është caktuar seancë e jashtëzakonshme e qeverisë. “Një tragjedi e madhe ndodhi në qendrën Covid-19 të Tetovës, në të cilën për shkak të një shpërthimi dhe zjarri 10 persona vdiqën dhe ky numër mund të rritet. Shërbimet zjarrfikëse dhe mjekësore reaguan menjëherë. Zjarri u shua dhe një aksion i shërbimeve shëndetësore është duke u zhvilluar për të shpëtuar çdo jetë të rrezikuar. Qeveria shpreh ngushëllimet më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerit dhe u uron shërim të shpejtë të lënduarve”, njoftoi mbrëmë vonë qeveria maqedonase.

Në terren, siç njoftoi mbrëmë Prokuroria Publike, po punojnë tre prokurorë nga Tetova dhe dy prokurorë nga Shkupi. “Ekipi prej pesë prokurorëve bashkë me ekipe të institucioneve kompetente kanë ndërmarrë të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, ka informuar dje në mbrëmje Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe menjëherë pas fatkeqësisë është nisur për në Tetovë ka shprehur ngushëllime deri te familjet e viktimave në zjarrin që shpërtheu në Tetovë dhe u dëshiroi shërim të shpejtë të të plagosurve.

“Tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën COVID-19 në Tetovë. Shpërthimi ka shkaktuar zjarr. Zjarri është shuar, por janë shuar edhe shumë jetë. Beteja për jetë zgjat ende, ndërsa të gjitha shërbimet reaguan më sakrificë dhe shpëtojnë njerëz. Shpreh ngushëllime më të thella deri te familjet dhe të afërmit e viktimave dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë të lënduarve. Shkaqet e zjarrit do të vërtetohen, me çka organet e gjyqësisë tashmë janë në terren. Kjo me të vërtetë është një ngjarje tragjike dhe mund t’ju siguroj se i gjithë kreu shtetëror është i përkushtuar në zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate. Për momentin zgjat takimi i shtabit të krizës në Tetovë”, ka shkruar Zaev në FB.

“Në Tetovë ka ndodhur një fatkeqësi e cila ka marrë më shumë jetë njerëzish. Deri në këtë moment janë konfirmuar 10 viktima nga zjarri, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë trishtimi, shpreh ngushëllimet më të thella deri te familjet”, ka shkruar në Twiter, Filipçe. Ngushëllime për familjet e të vdekurve shprehën edhe presidenti Stevo Pendarovski dhe lideri i opozitës Hristijan Mickoski.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet