Ekipi shqiptar në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka: Shqipëria do përfaqësohet nga më të mirët

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdojnë intervistat për ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB për 2022-2023. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, shprehu sot mirënjohjen për çdo djalë e vajzë që ka kandiduar. “Të bindur që falë testimeve rigoroze do të garantojmë që Shqipëria do të përfaqësohet vërtetë nga më të mirët”, – tha Xhaçka. Vetëm pak javë më parë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme hapi thirrjen për ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë gjatë mandatit të saj 2 vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë këtyre javëve ka pasur me dhjetëra e dhjetëra aplikime. Shqiptarë e shqiptare nga e gjithë bota kërkojnë të kontribuojnë me talentin dhe eksperiencën e tyre duke ju bashkuar ekipit shqiptar. Mandati 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje historike. Pas 65 vjetësh anëtarësim në OKB, Shqipëria ka më në fund të drejtën të ulet në forumin më të lartë të vendimmarrjes globale si dhe të kontribuojë në debatin mbi paqen, sigurinë, mbi sfidat e mëdha të kohës sonë që po i japin formë të ardhmes së globit, me idetë, vizionin dhe eksperiencën e saj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet