Fillon vaksinimi me AstraZeneca dhe për mbi 60-vjeçarët

Vaksinimi i qytetarëve më të moshuar me AstraZeneca po ecën mirë, deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. ”Filloi vaksinimi i personave më të moshuar nga ajo kategori kritike sipas Strategjisë Kombëtare për Vaksinim. Vaksinimi filloi në një numër të madh të qyteteve, ndërsa në të tjerat, përkatësisht në qytetet më të vogla dhe në shtëpitë e shëndetit do të fillojë të premten. Informatat tona janë se deri më tani i tërë procesi po zhvillohet mirë. Nuk kemi problem. Në mënyrë të qartë janë shënuar vendet ku është paraqitja, ku plotësohen dokumentet”, deklaroi sot Filipçe.

”Në lidhje me rivaksinimin, të gjithë qytetarët të cilët janë vaksinuar do të rivaksinohen sipas rekomandimeve të cilat i presim në periudhën në vijim”, theksoi Filipçe. Lidhur me situatën në spitale, Filipçe theksoi se është shumë serioze, duke u kërkuar qytetarëve t’i respektojnë masat.

”Sistemi shëndetësor çdo ditë po menaxhohet, sigurohen shtretër të lirë spitalor, kuadri mjekësor plotësisht është mobilizuar, por gjendja në spitale është shumë serioze”, publikoi Filipçe në FB. Për momentin aktive janë 19 262 raste të të sëmurëve me Covid-19. Nga fillimi i epidemisë numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve është 130 022, numri i pacientëve të shëruar është 106 979, ndërsa i të vdekurve është 3781.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet