Gjendet trupi i pajetë i minatorit, policia arreston drjtuesin teknik në Bulqizë

Muharrem Plaku, minatori i Bulqizës që prej 5 ditësh ndodhej i bllokuar Galerinë 3 të një miniere të zotëruar nga kompania “KADURTEX”, është gjetur i vdekur mëngjesin e sotëm.

Në lidhje me ngjarjen Policia njofton se është arrestuar Veli Losha 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik) si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Saba Hasani, 54 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Personat në fjalë kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60-vjeçari (punëtor në minierë).

Njoftimi i policisë:

Në vijim të ngjarjes së ndodhur me datë 15.09.2021, ku si pasojë e shembjes së një masivi materiali (minerali e inerte), mbeti i bllokuar në një galeri kromi shtetasi M.P., 60 vjeç, pas disa ditësh pune të pandërprerë për pastrimin e galerisë, rreth orës 23.50, datë 19.09.2021, u bë e mundur gjetja e trupit dhe nxjerrja e tij nga galeria.

Për ngjarjen e mësipërme është ndaluar nga Policia drejtuesi teknik i një subjekti minerar, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë tekniku i subjektit minerar.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi i shtetasit V. L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik) si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 54 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Shtetasit e lartëpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60 vjeçari (punëtor në minierë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet