Gjykata e Lartë: 4 anëtarët e rinj nisin detyrën

Në Gjykatën e Lartë u zhvillua sot ceremonia e mirëseardhjes dhe fillimit të detyrës së katër anëtarëve më të rinj të trupës gjyqësore, gjyqtarëve Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, anëtarë të KLGJ, si edhe drejtueset e EURALIUS dhe Justice for All.

Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e kësaj ceremonie solemne, zëvendëskryetari i kësaj gjykate Sokol Sadushi u shpreh se “Gjykata e Lartë ndjehet e vlerësuar me ardhjen e katër kolegëve të rinj, të cilët kanë treguar gjatë karrierës së tyre profesionalizëm dhe integritet. Zgjedhja që ka bërë KLGJ me emërimin e anëtarëve më të rinj, është një zgjedhje e shkëlqyer, e cila urojmë të vijojë edhe me plotësimin e gjykatës me gjyqtarë të tjerë”.

“Shtimi i radhës së gjyqtarëve profesionistë dhe me integritet sjell pa dyshim përmbushjen me sukses të asaj çfarë kërkon publiku në çdo kohë, besimin tek organet e drejtësisë, në mënyrë që qytetari të ketë mbrojtjen dhe sigurinë maksimale që i jep ligji”, tha Sadushi.

Ai theksoi gjithashtu angazhimin e trupës së Gjykatës së Lartë në kuadër të garantimit të dhënies së një drejtësie të shpejtë, cilësore, kushtetuese dhe ligjore.

Nga ana e saj Kryetarja e KLGJ Naureda Llagami u shpreh se “ardhja e gjyqtarëve të rinj dhe të kualifikuar në Gjykatën e Lartë, rrit pritshmëritë për një drejtësi sa më cilësore dhe vendimmarrje sa më të shpejtë, për të bërë të mundur evadimin e numrit të lartë të çështjeve që presin të gjykohen”.

Falë bashkëpunimit të ngushtë me Gjykatën e Lartë dhe organizmat ndërkombëtarë në ndihmë të gjyqësorit, janë hedhur disa hapa të rëndësishëm në kuadër të ndryshimeve ligjore për eficencën e gjykimit në këtë gjykatë, në shërbim të qytetarëve të cilët presin prej vitesh shqyrtimin e çështjeve të tyre.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet