''Laci kundër Shqipërisë''/ Strasburgu vendos në favor të familjareve të viktimave të ''Gërdecit''

Gjykata europiane për të drejtat e njeriut është shprehur për dosjen, "Laci kundër Shqipërisë", një nga proceset e hapura nga familjarët e viktimave të Gërdecit. Nafije Laci, ishte një nga 26 personat që humbën jetën në këtë tragjedi dhe bashkëshorti i saj, Mustaf Laci, iu drejtua gjykatës për dëmshpërblim. Por Gjykata Administrative i kërkoi Laçit të paguante tarifën gjyqësore në vlerë mbi 300 mijë lekë, pa përfshirë këtu edhe kostot e ekspertëve, shumë kjo e përllogaritur sa njëqind e njëzet fishi i nivelit të të ardhurave të tij mujore.

Në pamundësi finaciare për të paguar kostot gjyqësore, Mustaf Laci aplikoi për ndihmë juridike në formën e një përjashtimi nga pagesa e tarifës gjyqësore. Ky aplikim nuk mori një përgjigje dhe cështja u zvarrit në dyert e gjykatave, pa u gjykuar ende edhe sot. Kërkesa e tij për t’u përjashtuar nga ky detyrim para Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë u refuzua. Sot kjo cështje vijon, duke qenë në pritje në Gjykatën e Lartë.

Në vitin 2017, qendra Res Publica, e cila përfaqëson familjen Laçi, vendosi t’i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriu, për shkelje të nenit 6 (procesi i rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtave të Njeriut

Pas 4 vitesh, Gjykata e Strasburgut vendosi që shteti shqiptar jo vetëm që duhet t’i paguajë Mustafa Laçit 7,500 Euro për andrallat e krijuara, por nxjerr në pah një sërë problemesh që ekzitojnë në sistemin gjyqësor në Shqipëri.

“Gjykatat vendase nuk kanë kryer ende një vlerësim të individualizuar të gjendjes financiare të aplikantit në mënyrë që të përcaktohet nëse ai duhet apo jo të përjashtohet nga pagimi i taksës. Në përgjithësi, aplikanti kishte përdorur të gjitha mundësitë të parashikuara nga ligji i brendshëm. Sidoqoftë, përpjekjet e tij u penguan nga mosfunksionimi i KSHNJ-së dhe dështimi i këtij të fundit për të miratuar aktet nënligjore zbatuese; ngurrimi i dukshëm i gjyqtarëve vendas për të përjashtuar personat me pamundësi financiare nga pagesa e taksës; dështimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për të vlerësuar siç duhet gjendjen e tij financiare si dhe vonesat e konsiderueshme në Gjykatën e Lartë. Si rezultat, ankuesi vazhdonte të përballej me pasiguri në lidhje me ecurinë e shqyr timit në themel të kërkesës së tij për shpërblimin e dëmeve të shkaktuara në vitin 2008” thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

“Ky vendim është i detyrueshëm për gjykatat shqitare edhe për cështje të tjera të ngjashme dhe hap një kapitull të ri për çdo person që është në pamundësi ekonomike. Ai duhet të dëgjohet nga gjykata pavarësisht se ai nuk paguan dot kostot gjyqsore. Kjo do të thotë që këta persona nuk duhet të detyrohen të paguajnë tarifa të lartat gjyqësore, duhet t’u sigurohet avokat nga shteti dhe duhet paguhen nga shteti edhe ekspertët që thërret gjykata” – shpjegon av. Matlija.

Për Avokatin Dorian Matlija, rasti Laçi kundër Shqipërisë është një vendim i rëndësishëm pasi është hera e parë që Gjykata e Strasbugut shprehet mbi çështjet që kanë të bëjnë me personat që nuk kanë mundësi finaciare për të përballur kosot gjyqesore për Shqipërinë. Por, më shumë se sa një betejë e fituar në Strasburg, Matlija thotë se ky vendim hap një kapitull të ri për gjyqësorin shqiptar.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet