Lame: 102 masa administrative dhe 35 punonjës të Kadastrës të larguar

Drejtori i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame deklaroi sot se po punohet për të larguar të gjithë personat problematikë nga hipoteka.

Pas shfaqjes së një punonjësi të zyrës së Kadastrës, Sarandë, teksa vijonte që me presione dhe gënjeshtra të fuste duart në xhepat e një qytetari në një nga emisionet investigative në vend, Lame tha se vetëm sistemi do të zhdukë korrupsionin.

“Dua t’i drejtohem çdo qytetari shqiptar dhe t’i kërkoj ndjesë në emër të Institucionit që drejtoj prej gati tre vjetësh. Gjithashtu i kërkoj ndjesë edhe çdo punonjësi të ndershëm dhe kokëulur të Kadastrës Shqiptare, puna e të cilëve nuk duhet të ndotet nga raste të tilla. Falenderim dinjitoz i shkon medias dhe emisioneve investigative në veçanti. Kjo, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se mikrofoni i tyre ja del të arrijë edhe atje ku dora ime, apo e organeve të tjera kontrolluese, nuk ja del të mbërrijë. E them këtë, sepse nuk mund të vihen në diskutim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vetëm në dy vjetët e fundit, në Sarandë janë larguar nga puna 8 punonjës dhe janë marrë masa disiplinore për 7 të tjerë.Unë nuk preferoj të dal dhe të mburrem për numra në televizor, por të përpiqem të largoj personat problematikë dhe pastaj të ndreq sistemin sipas parimit “nuk është çështje njerëzish, është çështje sistemi”, tha Lame.

Aktualisht në Sarandë, informoi Lame, nga Kadastra është bërë edhe një tjetër kallëzim penal për çështje të tjera të vetë drejtorisë së atjeshme.

“Në të gjithë vendin vetëm për muajt e vitit 2022, mund të them se janë larguar nga puna 35 punonjës, që nga specialist i thjeshtë e deri tek drejtorë rajonalë. Gjithashtu janë kallëzuar në prokurori të paktën 8 raste abuzimesh me detyrën apo me pronën. Janë marrë 102 masa administrative për punonjës të ndryshëm”, u shpreh kreu i Kadastrës.

Kreu i Kadastrës, Lame tha se shërbimet online janë reformë epokale.

“Ajo që po ndodh me shërbimet “online” është epokale si reformë dhe, që prej një viti që kemi filluar implementimin, po ndryshon si nata me ditën shpejtësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Ajo që po ndodh me shërbimet “online” është epokale edhe në kuadër të uljes në nivele historike të prekjes së xhepave të qytetarëve. Kjo sepse mund të korruptohet njeriu, por jo sistemi. Sa më shumë të ecim në këtë drejtim, aq më pak do kemi fatin e keq të dëgjojmë raste si ky i djeshmi”, theksoi ai.

Lame apeloi çdo punonjës të Kadastrës të mos abuzojë me detyrën duke u joshur nga paratë.

“Jetojmë në një epokë krejtësisht tjetër, ku ajo që deri para ca vjetësh ishte rregull, sot është gati e pamundur”, tha ai.

Lame u bëri thirrje edhe qytetarëve duke u kërkuar të kenë besim tek Kadastra Shqiptare dhe jo tek tavolinat e bareve.

“Nëse gjendeni përpara situatave të tilla, kërkoni me forcë të drejtën tuaj pranë drejtuesve të Kadastrës, në daç në nivel vendor, në daç në Tiranë tek unë. Kini besim edhe tek sistemi, por edhe tek unë që nuk do lejoj me sa të kem të mundur që emri im dhe besimi i shtetit shqiptar të nëpërkëmbet nga papërgjegjshmëria e individëve të veçantë”, u shpreh Lame. /a.a/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet