Manastirliu: 3.9 milionë receta elektronike në 2021

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “vetëm në vitin 2021 u lëshuan 3.9 milionë receta elektronike në sistemin shëndetësor dhe 410 mijë qytetarë përfituan nga lista e rimbursimit me shërbime pa burokraci, pa abuzivizëm dhe nëpërmjet një linje të shpejt veprimi falë sistemit elektronik e-receta”.

Në fjalën e mbajtur gjatë Konferencës Kombëtare të Antikorrupsionit, Manastirliu u ndal te ndryshimet që ka sjellë inovacioni dhe mjetet digjitale në sistemin shëndetësor, ndërsa shtoi se në e-Albania aktualisht ofrohen 46 shërbime online.

“Të gjithë jemi në kontakt periodik me sistemin shëndetësor dhe të gjithë mund ta themi sot se çfarë ka ndryshuar. Këtu nuk po flas vetëm për investimet. Ajo që e gërryen besimin e qytetarëve te shërbimi shëndetësor është pikërisht korrupsioni dhe ne po punojmë fort që përmes mjeteve digjitale dhe inovative të parandalojmë çdo akt korruptiv e abuziv në sistemin shëndetësor”, tha ajo.

Ministrja theksoi se janë bërë hapa para për sa i takon strukturave që ekzistojnë për këtë qëllim.

“Edhe agjencia e luftës kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë, që sot ka vendosur një koordinator antikorrupsion në çdo nivel të shërbimeve publike që konsiderohen të riskuara, është një hap para në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe i vlen edhe parandalimit të korrupsionit”, tha ajo.

Manastirliu shtoi se “janë 1500 mjekë që përdorin sistemin e-receta dhe shërbimet online janë shtrirë në gjithë sistemin parësor, ku rol të rëndësishëm ka mjeku i familjes”.

Duke u ndalur te lehtësia që sjellin shërbimet online, Manastirliu veçoi certifikatën e vaksinimit në kohë reale.

Ndërkohë, ajo shtoi se “sot mjekët dhe infermierët punësohen mbi bazë merite falë platformës “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, ku me mijëra rekrutime në vit ndodhin përmes proceseve transparente.

Kjo, sipas ministres, “ofron edhe një garanci më shumë që qytetarët të marrin shërbime cilësore dhe të aksesueshme”.

Po ashtu, Manastirliu tha se “janë 7600 raste që i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes dhe që janë adresuar në kohë reale në të gjitha strukturat e sistemit shëndetësor”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet