Nga 1 qershori hiqet maska në ambientet e jashtme, ora policore shtyhet në 23:00

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot lehtësim të masave anti-COVID.

Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mira Rakacolli u shpreh sot se, “nga 1 qershori hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura

si dhe në mjetet e transportit publik. Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk”.

Rakacolli theksoi se, “ora policore shtyhet në orën 23:00-06:00. Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00”.

“Nga 15 qershori, grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP”, tha ajo.

“Nga 1 korriku, ora policore shtyhet në orën 24:00 -06:00. Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00. Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30 % sipas protokollit të ISHP. Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri në 30 % të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP”, theksoi Rakacolli.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet