Nga sot leja e re e qarkullimit të mjetit me standardet e BE-së, ulet me 40 % kosto

Leja e re e qarkullimit të mjeteve nga sot do të jetë plotësisht në standardet e BE-së. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh në rrjetet sociale se leja e re e qarkullimit të mjeteve ofrohet tashmë me kushte më të larta sigurie, pa afat skandence, rezistente ndaj dëmtimeve dhe me një çmim më të lirë.

Deri sot paguhej 3,500 lekë për lejen e qarkullimit aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Nga sot leja e re që unifikon dokumentet e mjetit në 1, do të kushtojë vetëm 2,100 lekë, ose 40% më pak.

Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale dhe nuk ka afat skadence. Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj.

Po ashtu, leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit.

Çdo vit, mbi 150 mijë qytetarë apo subjekte që konsumojnë shërbime për regjistrime të reja mjeti, ndërrim pronësie, humbje apo dëmtim, ndryshime konstruktive, e shërbime të tjera, dhe do të pajisen me lejen e re të qarkullimit, do t’u kursehen 210 milionë lekë, ose 1.75 milionë euro.

Leja e re është shumë rezistente, nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet. Ajo përmban elementet e sigurisë si: watermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndritshme e integruar në materialin e letrës me dizajn të personalizuar.

Leja e re do ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi i DPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj.

Leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin dhe nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet