Prezenca e OSBE-së organizon konferencë të nivelit të lartë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Një konferencë e nivelit të lartë për arritjet e Shqipërisë në axhendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë dhe punën që mbetet për t’u bërë u zhvillua në Tiranë, më 1 nëntor 2021. Konferenca u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ambasada holandeze dhe UN Women Albania me rastin e 21-vjetorit të miratimit të rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.

Pjesëmarrësit, ndër të cilët anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të qeverisë, të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, folën për përparimin dhe sfidat në zbatimin e planit të parë kombëtar të veprimit në këtë fushë.

“Që prej miratimit të Planit të Veprimit, Shqipëria ka bërë përparim domethënës për të siguruar balancën gjinore në sektorin e sigurisë. Përkushtimi personal dhe ekspertiza e zyrtarëve të lartë në ministri dhe institucione të tjera vijon të jetë një forcë shtytëse e rëndësishme. Ndërsa kjo gjë konsiderohet si një faktor kryesor suksesi, institucionalizimi më i mirë i përfshirjes gjinore mbetet i një rëndësie themelore për përmirësimin e mëtejshëm të barazisë gjinore në sektorin e sigurisë”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco. Ndërsa premtoi se Prezenca do të vijojë të mbështetë institucionet shqiptare në këtë drejtim, ai nxiti për angazhimin e mbarë shoqërisë.

Në përfundim të raportit të dytë monitorues të Planit të Veprimit, konferenca reflektoi për të ardhmen e axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Shqipëri, edhe nën dritën e pjesëmarrjes së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2022-2023. Gratë, Paqja dhe Siguria ishte, po ashtu, një nga përparësitë e Kryesisë shqiptare të OSBE-së 2020.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se axhenda e Grave, Paqes dhe Sigurisë është në krye të prioriteteve të Shqipërisë në OKB për dy vitet e ardhshme. “Vetë pasja e një prioriteti të tillë, puna që do të na duhet të bëjmë, aleancat, bashkëpunimet dhe sinergjitë që do të krijojmë, vëmendja që do të bjerë mbi ne, por edhe vëmendja që do të kenë shqiptarët për punën dhe vendin e tyre në Këshillin e Sigurimit, do të jenë të gjitha arsye më shumë për të avancuar akoma më shumë konsolidimin e të drejtave të grave dhe të vendit të tyre të natyrshëm, të merituar në vendimmarrje, të merituar në qeverisje dhe në çdo fushë e në çdo disiplinë të jetës së çdo vendi”, tha ajo.

Xhaçka tha se Shqipëria ka numrin më të lartë të grave në qeveri në botë, ka rreth 30% gra në parlament, mbi 60% në pozicione të larta drejtuese në administratën publike dhe një pjesëmarrje gjithnjë në rritje në fusha që konsideroheshin si terren burrash, si policia apo ushtria. “Kjo është një betejë që ende vazhdon, por tavani i qelqtë ka filluar të thyhet”, shtoi ajo.

Mes folësve kryesorë në konferencë ishin edhe nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, ambasadori holandez Reinout Vos dhe përfaqësuesi i UN Women Michele Ribotta.

Prezenca e OSBE-së ka kontribuar në bashkërendimin e përpjekjeve që çuan në miratimin e Planit të parë të Veprimit të Shqipërisë për Gratë, Paqen dhe Sigurisë, 2018-2020 dhe vijon të ndihmojë në përgatitjet e planit të ardhshëm të veprimit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet