Rinisin nesër fluturimet e programuara

Tirana International Airport njofton se fluturimet e programuara rinisin nesër në mëngjes, ndërkohë që sot do të kryhen operimet për fluturimet humanitare, mjekësore dhe diplomatike.

“Sipas njoftimeve zyrtare të shtetit shqiptar, fluturimet e programuara rifillojnë nesër në mëngjes, më 9 Prill 2021”, thuhet në deklaratën e TIA-s, ndërsa nënvizohet se ende nuk ka një orë të saktë për rifillimin e nesërm të fluturimeve.

“Pasagjerët e FlyDubai që kanë prerë biletën për në Dubai dhe e kanë fluturimin ditën e sotme, i bëjmë me dije ata dhe operatorët turistikë se udhëtimi do të kryhet nga aeroporti i Podgoricës dhe deri atje do të transportohen me autobuzë. Janë të lutur të paraqiten brenda terminalit të TIA-s për dhënien e dokumentacionit të nevojshëm për këtë udhëtim”, bën të ditur TIA.

Gjithashtu, sipas TIA-s, pasagjerët e itinerarit Dubai – Tiranë po me FlyDubai, se avioni do të ulet në aeroportin e Podgoricës sot në mbrëmje, me një parashikim 18.30 orë lokale, kështu që operatorët turistikë janë të lutur të kujdesen për transportin e tyre nga Podgorica në Tiranë me autobuzë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet