Rriten me 3% kontribuesit në fondet e pensioneve private

Tregu i fondeve të pensioneve private, edhe pse me peshë modeste ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto shënoi tregues në rritje edhe në 3-mujorin e parë të këtij viti. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, (AMF) bën të ditur se në fund të muajit mars 2022, numri i kontribuuesve arriti në 34 555, në rritje me 2.93%, krahasuar me fundvitin e shkuar.

Sipas AMF-së, vlera e aseteve në fund të muajit mars 2022 arriti në 4.8 miliardë lekë, në rritje me gati 6 % krahasuar me fundin e vitit 2021.

Me qëllim përafrimin me Direktivën Evropiane IORP II, standardet më të mira ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e bazës ligjore që rregullon tregun e fondeve të pensionit privat, Autoriteti ka hartuar projektligjin “Për fondet e pensionit privat”. Dokumenti i është përcjellë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe aktualisht është në fazën e konsultimit ndërinstitucional.

Projektligji sjell disa risi, ku veçohen format e reja të fondeve të pensionit, duke parashikuar fonde pensioni me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur, rritjen e transparencës dhe informimit për anëtarët, zhvillimin e tregut përmes rishikimit të politikës së investimit të aseteve, nxitjen e pjesëmarrjes përmes rishikimit të regjimit fiskal, si dhe përmirësimin e mirëqeverisjes së shoqërive administruese të fondeve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet