Shkelje e barazisë në tendera, SPAK arreston përgjegjësin e Logjistikës në burgun 313

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, vendosi dërgimin për gjykim me masë sigurie personale “arrest në burg” për Florin Ahmetaj, përgjegjës i Sektorit të Logjistikës në IEVP-në “Jordan Misja”.

Sipas SPAK, Ahmetaj akuzohet për veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet e këtij procedimi penal kanë evidentuar faktin se i pandehuri Florin Ahmetaj, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Logjistikës në IEVP-në “Jordan Misja”, Tiranë dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla në këtë IEVP, ka krijuar në datën 28.01.2019 një person tregtar fizik, të cilin e ka regjistruar në emër të kunatit të tij.

Pas regjistrimit të personit fizik, duke përfituar nga pozita e tij si Shef i Sektorit të Logjistikës në IEVP-në “Jordan Misja” dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla, bën të mundur që në mënyrë të kundërligjshme personi fizik të përfitojë kontrata në disa procedura prokurimi dhe blerje pranë IEVP “Jordan Misja”.

Megjithëse një subjekt tregtar i ri dhe pa eksperiencë, brenda një periudhe 14-mujore subjekti tregëtar, person fizik, ka fituar 12 procedura prokurimi dhe blerje, me vlerë rreth 2,7 milionë lekë (të reja), të organizuara nga ana e IEVP “Jordan Misja”, Tiranë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet