Shpallet gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, çfarë parashikon vendimi

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Vendimi parashikon ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri. Po ashtu, sipas këtij vendimi, shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike. Ministri i Financave dhe Ekonomisë ngarkohet që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022 dhe për zbatimin e tij ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet