'Shqipëria Buzëqesh'/ Nis sot vaksinimi kundër COVID-19, pas muajve të jashtëzakonshëm të luftës që hyn në fazën e ofensivës

Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer, ndërkohë që sot nis fushata e vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh”.

Kryeministri ndau një video mesazh të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila solli në vëmendje përballjen e gjatë dhe të vështirë me COVID-19, që nga fillimi i pandemisë.

“Mirëmëngjes dhe disa orë nga nisja e fushatës së vaksinimit ‘Shqipëria Buzëqesh’ duke ju marrë pak minuta nga koha juaj, për të hedhur vështrimin pas në orët, minutat, ditët, javët e muajt e jashtëzakonshëm të luftës me Armikun e Padukshëm, e cila sot hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar nga jeta jonë, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Në videomesazhin e saj, Manastirliu kujton se “2020 hyri në kalendarin e jetës sonë si një vit i jashtëzakonshëm teksa përballeshim me plagët e rënda të tragjedisë të tërmetit të 26 nëntorit”.

“Mendonim se s’mund të kishte më keq, por ja që fjalën e fundit gjithmonë e ka natyra dhe fati i vitit që lamë pas u përcaktua nga fatkeqësia botërore e pandemisë”, tha Manastirliu.

Ajo kujton se “në ato ditë janari kur mblidheshin ekspertët e Komitetit Teknik, që u ngrit kur koronavirusi ishte hedhur nga Whani u largët, imagjinata ende nuk i rrokte përmasat që do të merrte kjo pandemi, e kur kronikat nga Kina ia lanë vendin katastrofës në kohë reale në Italinë fqinje, zinxhiri i mbrojtjes në sistemin tonë shëndetësor ishte gati”.

“Armiku i padukshëm pushtoi me shpejti marramendëse edhe Shqipërinë si çdo vend i globit. Shërbimi infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza u shndërrua në frontin e një lufte pa mundësi për të marrë frymë. E gjithë trupa e mjekëve, infermierëve, farmacistëve, fizioterapistëve, laborantëve, imazheristëve, sanitarëve që shërbenin aty u bë armata e luftëtarëve të vijës së parë të këtij fronti përballë armikut të padukshëm dhe ende të panjohur. Çdo sekondë, minutë, orë e ditë pa gjumë ishin sekonda, minuta, orë mobilizimi të paprecedentë”, tha ajo.

Reagimi i shtetit me masat shtrënguese, sipas Ministres, ishte i menjëhershëm. “Reagimi qytetar ndaj masave ishte fantastik. Uniteti dhe solidariteti popullor i marsit 2020 ishte prekës. Asnjë gjë nuk ishte e zakonshme ato ditë kur e gjithë bota përballej me të jashtëzakonshmen dhe të panjohurat e frikshme në përmasat e saj. Çdo mbrëmje harta botërore e infeksionit përflakej”, tha Manastirliu.

Por, vijoi ajo, “ne ishim po aq të vendosur që të jashtëzakonshmes t’i përgjigjeshim me përpjekjen tonë të jashtëzakonshme për të garantuar mjetet e mbrojtjes personale për stafet tona mjekësore, infrastrukturën e nevojshme për të mbrojtur armatën e luftëtarëve dhe shpëtuar jetën e qytetarëve”.

“Maskat, respiratorët, veshjet mbrojtëse, doreza, teste u siguruan pa asnjë vonesë në kushte të jashtëzakonshme të kërkesës globale dhe asnjë gjë nuk mungoi asnjëherë në këtë drejtim. Gjithashtu nuk mungoi asnjëherë asnjë shtrat për të sëmurët në nevojë për kujdes spitalor, sepse vija e frontit të luftës u përgatit në maksimumin e kapaciteteve rezervë për skenarin më të keq”, tha Manastirliu.

Ngjarje si kjo që troket njëherë në shekull, sipas ministres, na sfidoi e na mësoi shumë, por mbi të gjitha na tregoi me forcën e nevojës dhe të dhimbjes vlerën e paçmuar të solidaritetit mes njerëzve dhe vendeve. “Ajo tregoi me forcën e fakteve edhe vlerën e madhe morale e profesionale të mjekëve e infermierëve tanë. Ata janë heronjtë e Shqipërisë së sotme dhe viti që sapo lamë pas do të kujtohet gjithnjë edhe për heronjtë që humbën jetën e tyre në këtë luftë”, tha Ministrja duke bërë një homazh për gjithë mjekët që humbën betejën me COVID si:

Drini Dobi, Ilirjan Draçi, Bledi Nini, Raimonda Lëngu, Agron Menzelxhiu, Astrit Haziri, Anibal Byberi, Arjan Pushi, Eduart Dhamo, Emaz Eltari, Esat Pashaj, Ferdinant Shkrepa, Flutura Harshova, Hydajet Deda, Hysni Shkjau, Ibrahim Kaziu, Leonard Kamberi, Memo Boçi, Mihal Kerci, Muharrem Xhepexhiu, Myftar Zemani, Sefer Dervishi, Shaqir Shehu, Vilson Topulli, Zyliha Kraja.

“Lufta jonë ende nuk ka mbaruar por tanimë ajo ka hyrë në një fazë të re në sigurimin e vaksinës nga Shqipëria dhe shënimin e këtij viti të ri si vitin e triumfit të jetës përmes zmbrapsjes përfundimtare të armikut të padukshëm”, tha Manastirliu.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në luftën ndaj COVID-19

771 mjekë në vijën e parë

1936 infermierë e laborantë

134 epidemiologë

979 staf mbështetës

3500 vullnetarë

6 milion mjete mbrojtëse për stafin mjekësor

4 laboratorë për testim

51 pika të testimit të shpejtë në komunitet

507 respirator

550 shtretër në 4 spitalet COVID

1600 shtretër për spitalet rajonale COVID

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet