Vdes 28 vjecarja nga aksidenti, arrestohet djali i Gramoz Rucit

Njëra nga vajzat e plagosura të dielën në aksidentin me Ledio Ruçin, djalin e Gramoz Ruçit, humbi jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Brunilda Pinderi, 28 vjeçe, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra pas përplasjes së mjetit “Mini Cuper” (ku ajo ndodhej) me makinën “BMW X6” të drejtuar nga Ledio Ruçi. Viktima e ngjarjes, e cila punonte si parukiere në Tiranë, është ndarë nga jeta në ora 01:00 pas mesnatës të së dielës, pasi mjekët nuk arritën ta mbanin dot në jetë. Sipas burimeve nga Policia, 28-vjeçarja humbi jetën për shkak të plagëve të rënda që kishte në kokë dhe fytyrë. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe mbajtjes në terapi intensive në reanimacion, Pinderi nuk ka mundur të mbijetojë, pasi dëmet kanë qenë të pariparueshme. Brunilda Pinderi, me profesion parukiere, u përcoll në banesën e fundit dje në orën 14:00, në varrezat e Tufinës.

Parukierja: Asnjë prej të afërmve të saj nuk ishte në gjendje dje që të tregonte rrethanat e ngjarjes, për shkak të gjendjes së rënduar nga fatkeqësia e rëndë që u ka ndodhur. Kortezhi mortor përcolli 28-vjeçaren nga apartamenti ku ajo banonte, në katin e dytë të një pallati në rrugën “Niko Avrami”, pranë shkollës “Bajram Curri”, e deri te varrezat e Tufinës, në Tiranë. Burime nga Spitali Ushtarak thanë se në momentin kur të afërmit e viktimës dhe të plagosurve prisnin gjatë natës në spital, ka pasur edhe konfrontime mes tyre për shkak të aksidentit. Brunilda Pinderi mbeti e plagosur rëndë, teksa udhëtonte bashkë me mikeshën e saj Pinellopi Rafti 18 vjeç dhe drejtuesin e makinës tip “Mini Cooper”, Eduart Cani, 34 vjeç. Ai sipas Policisë ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara, çka ka bërë që makina që ai drejtonte të përplasej me mjetin e djalit të deputetit Gramoz Ruçi, Ledio Ruçi, 32 vjeç, tip “BMW X6”, që gjithashtu lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Përveç dy vajzave, nga përplasja kanë pësuar plagë të lehta edhe dy drejtuesit e mjeteve që u përfshinë në aksident. Pasi kanë marrë mjekimet e nevojshme në Spitalin Ushtarak, oficerët e Njësisë së Qarkullimit kanë arrestuar Eduart Canin, gjithashtu edhe djalin e deputetit socialist. Ata akuzohen për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Të njëjtat burime thanë se vajza tjetër, 18-vjeçarja Pinellopi Rafti, e cila është maturante, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti

Automjeti i Ledio Ruçit pas aksidentit: Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:20, ku sapo kalon urën e Lanës, tek kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, një automjet tip “Mini Cooper” me targë CG 832 FC dhe një “BMW X6” me targë IKY 3939 u përplasën. Viktima, së bashku me 2 të plagosurit e tjerë, mësohet se udhëtonin me “Mini Cuperin”, ndërsa Ledio Ruçi, djali i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, drejtonte automjetin “BMW X6”. Burime nga grupi hetimor thanë se makina e Ledio Ruçit, i cili po ngjitej në unazë, ka hyrë në kryqëzim me shpejtësi dhe pas përplasjes me autoveturën, e ka lënë atë pas dhe ka lëvizur diagonal, duke dalë nga kryqëzimi ka hipur në trotuar, derisa është përplasur me muret e një fast-food-i dhe ka ndaluar në trotuar.

Policia: Ja si ndodhi aksidenti: Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi dje zyrtarisht se aksidenti ku u përfshi Ledio Ruçi ndodhi rreth orës 21:15, në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, ku janë përplasur automjetet, tip “BMW X6”, me targa të huaja IKY 3939, me drejtues shtetasin Ledio Gramoz Ruçi, 32 vjeç, me automjetin tip “Mini Cuper” me targë CG 832 FC, me drejtues Eduart Hysen Cani, 34 vjeç. Si pasojë e këtij aksidenti, janë dëmtuar shtetaset Pinellopi Stefan Rafti, 18 vjeç, shtetasja Brunilda Vladimir Pinderi, 27 vjeç, e cila në orën 01:00 ndërroi jetë në spital, të cilat ishin pasagjere në mjetin “Mini Cuper”. Shtetasit e tjerë ndodhen në SQU, jashtë rrezikut për jetën. /Panorama/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet