Veliaj: Asnjë rrugë në Tiranë e bllokuar nga bora; Sfida jonë, sistemimi i njerëzve në vështirësi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se Tirana fatmirësisht nuk ka pasur rrugë të bllokuara për shkak të motit të keq. Gjatë një interviste në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, Veliaj tha se ekipet e Bashkisë kanë qenë të gjitha në terren në fundjavë.

“Kemi pasur kontroll dhe punë gjithë ditën e djeshme, edhe duke hedhur kripë në rrugë. Sigurisht, çfarë bie në Tiranë në sheshin “Skënderbe”, është ndryshe nga çfarë bie në zonën malore të Dajtit. Atje kujdesi vazhdon, por është nën kontroll dhe shpresoj që edhe këto dy ditë, që temperaturat janë minus, do menaxhojmë me korrektesë të gjitha detyrimet që kemi në zonat e ekstremit malor të Tiranës. Problemi ka qenë në Tiranën rurale, në rrugët që të çojnë në Zall Bastar, në Shëngjergj, por janë hapur në kohë rekord dhe nuk kemi pasur asnjë bllokim më shumë se një orë,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se sfida më e madhe dhe që u përballua me sukses në këto ditë të acarta ishte strehimi dhe kujdesi ndaj personave në vështirësi, të cilët janë dhe më të rrezikuarit në kushtet e temperaturave disa gradë nën minus.

“Tirana është një kryqëzim i madh i rrugëtimeve të njerëzve dhe këtu flas jo vetëm për rrugëtimet fizike, por edhe rrugëtimet e jetës. Operacioni më i madh ishte në fakt, për të sistemuar njerëzit në situatë rruge, kryesisht nga rrethe të tjera që i zë nata aty, që mund të kenë pasur një konflikt familjar, apo që kanë pasur një dramë sociale. Nuk po u hyj rrethanave, por ajo që kemi ngritur si standard në Tiranë është që askush nuk duhet të jetë në situatë rruge, sidomos në këto kohë. Apeli edhe për familjet është, pavarësisht debatit që mund të kesh apo dramave sociale, nuk nxirret familjari në rrugë, kështu që këto dy tre ditë, ne i sistemojmë qendrat sociale. Me t’u rihapur koha pastaj bëjmë një rilidhje të familjeve të qyteteve nga kanë ardhur këta qytetarë,” deklaroi Veliaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet