Çmimet e energjisë, BEja e ndarë mes thirrjeve për reforma dhe politikës së pritjes

Liderët e Bashkimit Evropian shfaqën ndarjet e tyre në lidhje me përgjigjen ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, me Francën dhe Spanjën që bënë thirrje për reforma të thella, ndërsa të tjerët kërkuan durim.

Temë u diskutua në samitin BE-Ballkani Perëndimor, në Slloveni, në një kohë që çmimi i gazit natyror arriti rekorde të reja historike në tregjet evropiane për shkak të kërkesës së madhe me afrimin e dimrit.

“Ne i kemi kërkuar Komisionit Evropian të jetë i guximshëm në përgjigjen e tij”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Po përballemi me një krizë të paparë, që kërkon masa të jashtëzakonshme, inovative dhe energjike”, këmbënguli ai.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që bën thirrje për një “qasje të përbashkët”, së bashku me Francën, Republikën Çeke, Greqinë dhe Rumaninë.

Parisi kërkon një rishikim të madh të tregut të energjisë elektrike, në veçanti fiksimin e çmimeve të konsideruara shumë të varura nga çmimet e lëndëve djegëse fosile, ndërsa Madridi propozon “blerje në grup” të gazit, në modelin e furnizimit evropian të vaksinave kundër virusit COVID-19.

Por vende të tjera, të tilla si Gjermania dhe Holanda, paralajmëruan për “masa ekstreme”, duke argumentuar se ishte një situatë e përkohshme e lidhur me kufijtë e furnizimit, një reagim ndaj krizës shëndetësore dhe në sfondin e rimëkëmbjes ekonomike.

Brukseli do të propozojë më 13 tetor një arsenal masash të përkohshme për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Subjekti, gjithashtu, do të diskutohet në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së më 21 dhe 22 tetor, ku mund të diskutohen përshtatjet afatgjata.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet