BE: Reciprocitet nga SHBA për pritjen e turistëve

Europa kërkon reciprocitet nga SHBA-ja për sa i përket pritjes së turistëve europianë, veçanërisht për çështjen e karantinimit, në kuadër të lehtësimit të kufizimeve lidhur me COVID-19, theksoi sot për RTL komisioneri europian i ngarkuar me tregun e brendshëm, Thierry Breton.

Njëzet e shtatë vendet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord që prej 19 majit për të lejuar hyrjen në BE për udhëtarët nga vendet e treta që kanë marrë dozat e nevojshme të vaksinave kundër COVID-19 të autorizuara në nivel europian.

Udhëtarët duhet gjithashtu të jenë të vaksinuar që prej të paktën 14 ditësh, me dy doza të Modernas, Pfizer-BioNTech, AstraZeneca apo dozën e vetme të Johnson & Johnson.

Brukseli kishte propozuar që të mos ketë as test, as karantinë, për personat e vaksinuar plotësisht, por këto vendime janë përfundimisht përgjegjësi e secilit shtet anëtar.

Franca, që rihapi nga 9 qershori fluksin e udhëtarëve në funksion të një kodi ngjyrash, do të vazhdojë për shembull të kërkojë një test negativ (PCR ose antigjen) për udhëtarët nga SHBA në mënyrë të veçantë, nëse janë vaksinuar ose jo.

I pyetur në lidhje me turizmin, Breton tregoi se ai do të kishte këtë mbrëmje një takim me homologun amerikan, personin përgjegjës për vaksinat amerikane, për të diskutuar në mënyrë specifike këtë çështje për pritjen e amerikanëve në Europë dhe anasjelltas.

“Ne presim tashmë turistë amerikanë duke nisur nga momenti kur ata janë vaksinuar, duke nisur nga momenti kur i kanë marrë të dyja dozat. Unë këmbëngul se duam reciprocitet dhe do të flas për këtë më vonë, sepse për momentin kemi ende karantinë në SHBA për europianët”, theksoi komisioneri europian.

Lidhur me Kinën, Breton theksoi se po shikojmë evolucionin e pandemisë.

“Ekziston edhe reciprociteti gjithashtu”, theksoi ai.

“Është me të vërtetë e nevojshme që nga momenti që të mirëpresim turistët kinezë, të ketë të njëjtin reciprocitet, në një situatë të krahasueshme”, shtoi ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet