Dita e Evropës, mburojë ndaj sirenave të nacionalizmit e populizmit

Në Ditën e Evropës, Presidenti Ilir Meta thekson se “qëndrojmë përkrah Ukrainës me shpresën e rikthimit sa më parë të paqes në Evropë”.

“Sot, në Ditën e Evropës, jemi edhe më shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e projektit më të madh politik të paqes dhe përbashkimit rreth vlerave që garantojnë bashkëjetesën mes kombeve në kontinentin tonë. Qëndrojmë përkrah Ukrainës me shpresën e rikthimit sa më parë të paqes në Evropë, dhe të bëjmë çdo përpjekje për të nisur procesin e negociatave që do ta shoqërojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në familjen së saj të natyrshme evropiane”, shprehet Meta në mesazhin e tij në Ditën e Evropës.

Nikolla: 9 Maji, dita nga mori jetë ëndrra e bukur e Bashkimit Evropian

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot, nëpërmjet një mesazhi përshëndetës 9 Majin, Ditën e Evropës.

“9 Maji, Dita e Evropës, është dita më e shënuar në kalendarin evropian dhe ndër ditët më inspiruese të kalendarit botëror. Është dita prej nga mori jetë ëndrra e bukur e Bashkimit Evropian, një ndër projektet më frymëzuese të qytetërimit bashkëkohor”, ka theksuar Nikolla.

“Është Dita e unitetit dhe e paqes, kundër ndarjeve dhe luftërave. Bashkimi kundrejt ndarjes, paqja kundrejt luftës, solidariteti kundrejt etnocentrizmit, besimi kundrejt dëshpërimit, qytetërimi kundrejt barbarisë, modernizimi përballë arkaizmit, këto janë mesazhet që evropianët lexojnë nga ditëlindja e ëndrrës europeiste”, u shpreh Nikolla.

“Mesazhet e Ditës së Evropës janë kuptimplota sot, kur lufta nuk është më një kujtim i largët, kur retë e saj janë shfaqur në horizont dhe jeta e rreth 750 milionë banorëve të kontinentit është e rrezikuar”, theksoi Nikolla.

“Vlerat evropiane dhe euroatlantike janë udhë-harta e përpjekjeve të njerëzimit për zhvillim, mirëqenie, kohezion, unitet, siguri e paqe. Janë mburoja më e mirë prej rrezikut të sirenave të nacionalizmit, populizmit dhe sovranizmit të gënjeshtërt”, tha Nikolla.

“Ne jemi krenarë që Shqipëria është në anën e duhur të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave evropiane, qytetëruese, demokratike e perëndimore”, përfundon Nikolla.

Balla: Në këtë ditë festojmë paqen dhe bashkimin në Evropë

Gjithashtu edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka uruar Ditën e Evropës.

“9 Maji shënon përvjetorin e “Deklaratës Schuman”. Në këtë ditë festojmë paqen dhe bashkimin në Evropë; festojmë vlerën e pazëvendësueshme të respektimit të të drejtave themelore: barazisë, antidiskriminimit, lirive, përfshirjes sociale dhe dinjitetit njerëzor; festojmë vlerat e shoqërisë së hapur dhe të demokracisë”, tha Balla.

Tabaku: Integrimi i Shqipërisë në BE, domosdoshmëri

Në ditë e Evropës , Kryetarja e Komisioni për Integrimin Evropian Jorida Tabaku e konsideron integrimin e Shqipërisë në BE domosdoshmëri.

Tabaku shprehet se, nuk ka asnjë të ardhme për shqiptarët përtej BE. Evropa duhet të jetë këtu, por ajo po shndërrohet në një pritje të një date që me sa duket kurrë nuk do të vijë me Ramën në pushtet.

“Fuqia e integrimit është e madhe aq sa ndryshon rrjedhën e një vendi. Prandaj duhet t’i japim mundësinë shqiptarëve të jenë përfituesit dhe kontribuesit e BE-së. Evropa e bashkuar, për të cituar Adenhauer, qe ëndrra e disave. U kthye shpresa e të shumtëve. Sot është domosdoshmëri për të gjithë ne”, shprehet ajo.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet