Jemi në nivel tjetër me negociatat për integrimin në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se: “jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në suazën politike evropiane si rezultat i një vullneti gjithnjë më të shprehur nga ana e Bashkimit Evropian, nga autoritetet në Bruksel, për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Rama tha se “jam i bindur që shqiptarëve nuk do t’u duket asnjëherë e tepërt, por shpresoj mos t’i duket asnjëherë e tepërt Presidentit të Këshillit Evropian përsëritja e shprehjes së mirënjohjes për BE-në në momentet më të vështira që nga momenti pas tërmetit tek periudha e pandemisë sepse janë momente, të cilat kanë shënuar pika shumë të rëndësishme në forcimin mes marrëdhënieve të BE-së dhe Shqipërisë dhe anasjelltas”.

“Ne ndjehemi shumë krenarë që jemi pjesë e frontit të përbashkët që sot është më shumë se asnjëherë tjetër i të mirës kundër të keqes duke pasur parasysh konfliktin luftarak në Ukrainë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “me Presidentin e Këshillit Evropian folëm për situatën e përgjithshme dhe për angazhimet e sfidat në raport me luftën në Ukrainë, folëm patjetër dhe besoj që ai do të komunikojë vetë më në detaje për procesin në vigjilje të Këshillit Evropian ku dihet Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut, janë në axhendë për tu shqyrtuar çështja e çeljes formale të bisedimeve për anëtarësim, ecurinë e marrëdhënieve rajonale për Ballkanin e Hapur, për të gjithë sfidat e brendshme të rajonit”.

Rama bëri të ditur se me Presidentin Michel foli gjatë takimit edhe për reformat në Shqipëri.

“Folëm për Reformën në Drejtësi që tanimë po jep fryte domethënëse. Të gjithë e ndoqën dje operacionin shumë domethënës të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Shtetit për të goditur një rrjet kriminal dhe ndoshta për ti dhënë ndoshta goditjen në të rëndësishme sa i përket thellësisë së saj, krimit të organizuar në të tëra vitet e kësaj lufte që vazhdon. Ashtu sikundër edhe shembuj kuptimplotë të individëve pavarësisht lidhjeve, përkatësive të tyre politike që tregojnë qartë që jo vetëm jemi ne rrugën e duhur, por kemi hedhur hapa domethënës edhe në krahasim me vendet që prej kohësh kanë çelur negociatat”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “e falënderoj Presidentin Michel dhe ekipin e tij për rikthimin në kryeqytetin tonë dhe duke e falënderuar publikisht jo thjesht për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë qysh ditën e parë në krye të kësaj detyre integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE, por një sens shumë të prekshëm kujdesi në raport me këtë rajon, ku bën pjesë dhe Shqipëria dhe patjetër edhe për sensin e respketit dhe të gatishmërisë për të ndihmuar në çdo hap vendin tonë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet