Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Europës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Gërvalla në një adresim përmes një videoje ka thënë se prej sot nis një kapitull i ri për Kosovën. Ajo u shpreh optimiste se nisma do të përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës. “Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila kalon nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon dhe më optimist në rajon. Kosova meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kjo procedurë që e kemi nisur sot do përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në këshill të Evropës dhe me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasjes së tyre në instanca evropiane”, ka thënë ajo. Në një përgjigje për KOHËN, Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, ka konfirmuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Ka thënë se kërkesa po dërgohet në Komitetin e Ministrave në linjë me statutin e Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës që ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet