Lufta në Ukrainë shndërron BEnë në lojtare kryesore të skenës botërore

Ndërsa Bashkimi Evropian feston nesër 72-vjetorin e krijimit të tij, lufta në Ukrainë po e shtyn atë të transformohet rrënjësisht në një lojtar të fuqishëm në skenën botërore.

“Lufta e presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë sfidon thelbësisht arkitekturën tonë të paqes evropiane”, tha të premten presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

BE-ja feston nesër 72-vjetorin e aktit të saj themelues, deklaratën e Robert Schumannit që propozonte krijimin e një Komuniteti Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, më 9 maj 1950.

Blloku tregtar i vendeve, dikur ndërluftuese, është bërë një fuqi politike e gatshme për të dërguar armë në Kiev dhe për të vendosur sanksione të paprecedenta ndaj Rusisë.

BE ka marrë mësimet e Brexit-it dhe katër viteve të presidencës së Donald Trump në SHBA dhe po përgatitet të përballet me një Kinë që po afirmon veten.

Por, ky bashkim i begatë prej 450 milionë banorësh, i cili përpiqet t’i bëjë 27 vendet anëtare të flasin me një zë, nuk është fuqia e madhe botërore që mundet të aspirojë të jetë.

Është larg autonomisë strategjike që do të dëshironte t’i jepte presidenti francez Emmanuel Macron, i cili aktualisht kryeson Këshillin e BE-së.

“Në thelb, që Evropa të bëhet një aktor gjeopolitik, nevojiten më shumë se disa zgjidhje politike ose institucionale”, thotë politologu holandez, Luuk van Middelaar.

”BE-ja ka kapërcyer Rubikonin duke vendosur të financojë dërgesat e armëve në Ukrainë, një ndryshim goditës nga historia e saj pacifiste. Por, strategjia e saj është e keqpërcaktuar në lidhje me Rusinë dhe vendet e Evropës Lindore që aspirojnë anëtarësimin, përfshirë Ukrainën”, thekson ai.

– Federalizëm pragmatik –

Macron, i rizgjedhur në prill, pritet të ndjekë axhendën e tij evropiane edhe më fuqishëm, mbështetur nga thirrjet e bëra këtë javë nga udhëheqës të tjerë dhe nga një konsultim me qytetarët në favor të ndryshimeve thelbësore në traktatet evropiane.

BE-ja ka nevojë për një federalizëm pragmatik që do t’i shihte shtetet anëtare të humbnin të drejtën e vetos, thotë kryeministri italian Mario Draghi.

“Ky është fillimi i një rruge që do të çojë në rishikimin e Traktateve. Dhe nëse do të jetë kështu, ne duhet t’i qasemi me guxim dhe besim. Institucionet dhe proceset aktuale të BE-së janë të papërshtatshme për t’u marrë me pasojat e luftës në Ukrainë”, shtoi ai.

Për Fabian Zuleeg, drejtor i Qendrës së Politikave Evropiane, “ne jemi në një udhëkryq”.

“Shumë tabu ranë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe vendet po bëjnë gjëra që nuk e kishin menduar kurrë se do t’i bënin më parë. Kjo ka të bëjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, por edhe me bujqësinë, migracionin dhe politikën industriale”, thekson ai.

“Ne mund të vendosim të përfitojmë nga kjo situatë për të pajisur Bashkimin Evropian me llojin e procesit të vendimmarrjes, kompetencave dhe ligjeve që i nevojiten. Ose të vazhdojmë në rrugën e vendeve që bëjnë gjëra për veten e tyre, të cilat sipas mendimit tim është i dënuar me dështim”, shpjegon ai.

– Braktisja e vetos? –

Parlamenti Evropian ka miratuar një rishkrim të traktateve dhe ka paraqitur 49 propozime nga Konferenca për të Ardhmen e Evropës, një konsultim me qytetarët që sapo ka përfunduar.

Ndër këto, ideja e votimit me shumicë të cilësuar e hedhur nga Macron dhe Draghi për të përmirësuar vendimmarrjen si dhe për të rritur kompetencat për Komisionin Evropian në zonat e ruajtura me xhelozi nga qeveritë kombëtare, si mbrojtja.

Lista e propozimeve do t’i dorëzohet nesër zyrtarisht presidentit francez.

“Më shumë se 90%” e tyre mund të zbatohen pa modifikuar traktatet”, vlerëson një diplomat evropian.

Përveç Francës dhe Italisë, vende të tilla si Spanja, Belgjika, Holanda ose Luksemburgu do të mbështesin një modifikim të traktateve.

Por, shtetet e tjera të vogla anëtare do të ishin armiqësore ndaj tij, nga frika se do të humbnin çdo ndikim në rrjedhën e vendimeve, pasi t’u hiqej vetoja e tyre.

Nëse shumica e vendeve anëtare të BE vendosin se ndryshimi i traktatit është i nevojshëm, atëherë ato do të jenë në gjendje të votojnë në Këshillin Evropian për të nisur një konventë që do të çonte në negociata.

”Sipas llogaritjeve të mia, për këtë duhet të jemi në gjendje të marrim një shumicë të thjeshtë në Këshill”, thotë një diplomat europian.

Por, çdo tekst rezultues do të duhej të miratohej njëzëri nga 27 vendet anëtare. /ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet