AZHBR: 64 aplikime investimesh

Janë 64 aplikime investimi në sektorin e agroturizmit, nga të cilat bën të ditur Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) 50 janë investime të përzgjedhura, në kuadër të programit IPARD II, që do të lidhin kontratat për financimin granti nga ky program.

Ndërsa deri tani përmes programit IPARD II për masën “Diversifikimi i fermave në agroturizëm” janë lidhur 14 kontrata financimi dhe investimet përkatëse për këto projekte janë duke u kryer. Sipas AZHBR-së, investimet për sektorin e agroturizmit kanë pasur një interes përtej pritshmërive të parashikuara, ndaj ky sektor do të ketë vëmendje të shtuar në Programin IPARD III që po përgatitet për t’u hapur vitin që vjen.

Investimet në agroturizëm përfitojnë 50% financim. Mbështetja me grante e një investimi ka impakt në formalizimin e sektorit dhe zhvillimin e tij. Agroturizmi është kthyer në një motor zhvillimi ekonomik për zona shumë të thella bujqësore dhe blegtorale dhe më vjen mirë që politikat nxitëse dhe incentivuese janë të orientuara sipas kërkesës dhe nevojës së sipërmarrësve ruralë. Të dy programet që ka implementuar qeveria IPARD dhe Programi i Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2020, mbështesin me financime diversifikimin e ekonomisë të zonave rurale.

Masa 7 e Programit IPARD ka pasur si objektiv mbështetjen e investimeve në zonat rurale, me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e bizneseve që sjellin mundësi punësimi dhe përfshirje sociale. Nga thirrja e parë, kërkesa për fond është 9,3 milionë euro, çka tregon ndërgjegjësim të grupeve të interesit dhe kërkesën e lartë në investime që nxisin diversifikimin e zhvillimit të veprimtarive rurale dhe fermave shqiptare.

Duke parë trendin në rritje të turizmit në përgjithësi dhe kërkesat e posaçme të turistëve të huaj për aktivitete agroturistike ku turisti takohet me fermën, fermerin, bujtësin, eksploron shijen, mikpritjen, traditën dhe bukën e tokës shqiptare, fermerët dhe sipërmarrësit shqiptarë, ekspertët po kuptojnë potencialin që ka ky sektor për diversifikimin e aktiviteteve të biznesit, rrjedhimisht edhe për rritjen e të ardhurave.

Këtë mundësi të re financimi janë duke e shfrytëzuar shumë mirë fermat shqiptare, të cilat agroturizmin po e zhvillojnë si një veprimtari plotësuese të aktivitetit bujqësor. Kjo shikohet nga interesi që ata kanë, duke kërkuar të investojnë në disa aktivitete (ofrim ushqimi, akomodim, aktivitete sportive, ekoturizëm etj.).

Deri më tani, përvoja ka treguar se ndërthurja e këtyre aktiviteteve me bujqësinë është një element kyç për sukses në investimet në agroturizëm. Sipas AZHBR-së, deri më tani janë mbështetur me grante konkretisht 14 investime në Agroturizëm dhe 4 Bujtina me vlerë financimi në total rreth 80 milionë lekë.

AZHBR, sot përveçse një institucion zbatues i politikave po luan një rol nxitës për komunitetin, duke udhëhequr fermerët dhe sipërmarrësit ruralë drejt shembujve të suksesit në këtë sipërmarrje fitimprurëse

“Investime që zhvillojnë vendin çdo ditë, punë që shtohen, ferma agro, ferma bujqësore modernizojnë sistemin prodhues, prodhime që rrisin cilësinë dhe rendimentin, fermerë që zgjerojnë sipërfaqet, fshatra që kthehen në qendra turizmi, shtëpi që restaurohen në bujtina akomoduese, prodhime që certifikohen e produkte që eksportohen masivisht.

Ky është ritmi që nuk ndalet në Shqipërinë bujqësore e rurale sot”- bën të ditur AZHBR.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet