Ahmetaj: Të ardhurat shtesë për paketa sociale dhe investime publike

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht Ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, deklaroi sot se të gjitha të ardhurat shtesë në buxhet nga tatimet dhe doganat do të shkojnë për paketa sociale për qytetarët dhe investime publike.

“Të ardhurat janë në rritje, akoma po shikojmë rritje të konsumit, gjë për të cilën edhe opozita duhet të gëzohet. E gjithë shtesa e të ardhurave do të shkojë në dy shtylla, për investime publike, pasi duhen furnizuar, dhe për paketa të mundshme sociale”, tha Ahmetaj gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Ahmetaj i konsideroi të qëllimshme politikisht deklaratat e opozitës që vlerësuan si konseguencë të rritjes së çmimeve zhvillimet në tregun e brendshëm.

“Të thuash se çmimet u rritën për arsye të tregut të brendshëm në mirëkuptim do ta quaja politikë të qëllimshme. Të gjitha statistikat tregojnë konseguencë të rritjes së çmimeve krizën energjetike që erdhi për arsye të cituara ndërkombëtarisht, por edhe lokalisht dhe çmimet e mallrave apo produkteve të ndryshme, duke nisur nga ushqimet e deri ato të ndërmjetmet, për shkak të invazionit rus në Ukrainë”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj tha se, ndërhyrjet e qeverisë me bordet e transparencës janë shumë efektive.

“Kjo po ti referohemi nivelit të inflacionit. Niveli i inflacionit reflekton pak a shumë rritjen proporcionale të çmimeve ndërkombëtare dhe importimin e inflacionit këtu”, tha Ahmetaj.

Ministri i konsideroi absurde edhe deklaratat e opozitës se shteti bën biznes me të ardhurat shtesë në buxhet nga rritja momentale e çmimeve, pasi sipas tij, nuk ka efekt pozitiv, sepse inflacioni godet konsumin.

“Të ardhurat shtesë janë shpërndarë, përmes subvencionit të sektorit energjetik në masën 200 milionë dollarë dhe përmes paketës sociale. Dhe do të vijojmë ti shpërndajmë. Asnjë qytetar apo biznes nuk paguan asnjë lekë më tepër për çmimin e rritur të energjisë. Spanja dhe Portugalia kanë kërkuar të dalin nga rregullat bazë të Unionit të Energjisë. Ne kemi marrë përsipër të paguajmë çdo lek të rritje së çmimit të energjisë. Statistikat tregojnë se ne kemi ndërhyrë drejtpërdrejt aty ku çmimet janë rritur, te shporta”, tha Ahmetaj.

Njëkohësisht, ministri theksoi se krahas qytetarëve dhe biznesit të vogël kemi mbështetur edhe sektorë të caktuar të ekonomisë.

Sipas tij, nuk do të ndodhë që pushteti të merret mbi fatkeqësi.

“Qeveria do të vazhdojë të bëjë investime strategjike, të aplikojë ligjin për investimet strategjike. Ligji është i hapur nuk është një korridor i mbyllur për këdo që dëshiron të paraqesë kërkesa për investime strategjike siç është parashikuar në ligj”, u shpreh ai.

Ministri vlerësoi edhe punën e bërë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet