BB: Ekonomia e Shqipërisë u rimëkëmb fuqishëm nga kriza e COVID-19, rritja 8.5% në 2021

“Ekonomia e Shqipërisë u rimëkëmb fuqishëm nga kriza e COVID-19. Rritja vlerësohet në 8.5%, në 2021-shin, ndërsa shkalla e varfërisë u ul nga 31.3% në 22%”, vlerësoi Banka Botërore në raportin e Rregullit Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Manovrim mes krizash” që u publikua sot.

Duke u ndalur në zhvillimet aktuale, Raporti vëren se, “lufta në Ukraine do të ngadalësojë në 3.2% rritjen ekonomike të vendit dhe nëse kriza në Ukrainë zgjatet, ajo do të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve të transmetimit”..

Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Në përgjithësi, lidhjet e drejtpërdrejta të tregtisë, remitancave dhe emigracionit me Rusinë dhe Ukrainën janë të vogla, dhe përbëjnë më pak se 3% të totalit.

Megjithatë, Rusia dhe Ukraina janë prodhues dhe eksportues shumë të rëndësishëm të disa mallrave, të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët, përfshirë drithërat.

Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit.

Ndërsa inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit.

Banka vlerëson se, Shqipëria për të rritur mbledhjen e të ardhurave dhe për të realizuar konsolidimin fiskal, do të mundësojë në të njëjtën kohë kryerjen e shpenzimeve të konsiderueshme që forcojnë rritjen ekonomike.

“Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5 për qind në periudhë afatmesme. Konsumi privat parashikohet të kthehet në faktorin kryesor shtytës të rritjes së PBB-së. Investimet private mund të mbështesin më tej rritjen nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit. Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në periudhë afatmesme, pasi eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i shpejtë i operacioneve të procesit të biznesit, pritet të rriten duke reflektuar tendencat parapandemisë”, citon raporti i BB.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet