Depozitat në sektorin privat u rritën me 10.8%

Depozitat bankare vijuan të zgjerohen me ritme të larta. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në tremujorin e parë të vitit depozitat e sektorit privat janë rritur me 10.8%. Sipas BSH-së, ritmet më të larta të rritjes së depozitave në valutë, prej 18.2%, nga 16% në vitin 2021, kanë kompensuar normat më të ngadalta të zgjerimit të depozitave në lekë (në 5.4 %, nga 7.1% në 2021).

Sipas agjentëve ekonomikë, depozitat e individëve janë rritur me 7.9%, ndërsa depozitat e bizneseve vijojnë të karakterizohen nga norma dyshifrore rritjeje. Zhvillimet në strukturën e depozitave sipas maturitetit, tregojnë se depozitat me afat u rritën me ritme të qëndrueshme rreth 3%, ndërsa depozitat pa afat shfaqën një trend ngadalësues.

Në fund të tremujorit të parë, depozitat pa afat përbënin 56% të totalit të depozitave, duke qëndruar në raport të pandryshuar nga tremujori i kaluar. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, sistemi bankar operon në kushtet e një baze të qëndrueshme depozitash, çka i ka mundësuar bankave ruajtjen e një kostoje minimale të financimit të aktivitetit kreditues.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet