Eksportet e mallrave, 33 miliardë lekë në muajin Shtator

Në shtator 2021, eksportet e mallrave arritën vlerën 33 miliardë lekë, duke u rritur me 31,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 39,4 %, në krahasim me gushtin 2021.

Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 69 miliardë lekë, duke u rritur me 31,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 13,4 %, në krahasim me gushtin 2021.

INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit, deficiti tregtar i këtij muaji është 36 miliardë lekë, duke u rritur me 32,0 %, krahasuar me shtator 2020 dhe duke u ulur me 3,3 %, në krahasim me gushtin 2021.

Eksportet përgjatë 9-mujorit të këtij viti rezultojnë të jenë në vlerën 266 miliardë lekë, duke u rritur me 36,5%.

Sipas INSTAT-it, ndikimin më të madh në rritjen vjetore të eksporteve e dha grupi “materiale ndërtimi dhe metale” me 14,3 %, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 11,6 % dhe “tekstile dhe këpucë” me 3,5 %.

Ndërkohë, grupi që ka ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 7,8 %, “materiale ndërtimi dhe metale” me 4,7 %, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 4,6 %.

Gjatë këtij nëntëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 24,2 %, Kosova me 52,4 % dhe Spanja me 39.6 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Ukraina me 22,5 % dhe Rusia me 38,1 %.

Referuar INSTAT-it, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 18,7 %, Turqia me 24,8 % dhe Kina me 25,8 %. Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është Ukraina me 52,9 %.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet