Fiskalizimi, aplikim online për pajisje me Certifikatë Elektronike

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton të gjithë tatimpaguesit të aplikojnë online për pajisje me Certifikatë Elektronike për Fiskalizimin.

Certifikata Elektronike është një nga elementët e domosdoshëm që siguron përdorimin e portalit të faturës Elektronike dhe kryerjen e veprimeve me të.

DPT bën me dije se ky dokument sigurohet duke aplikuar online tek AKSHI nëpërmjet portalit e-Albania në linkun:https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…

Procesi i Fiskalizimit është një reformë që Administrata Tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti, me impakt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.

Të gjithë tatimpaguesit, të cilët në bazë të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, kanë detyrimin që prej datës 1 janar 2021 të lëshojnë faturë në formë elektronike, duhet të aplikojnë për t’u pajisur me certifikatën elektronike për Fiskalizimin.

Ligji përcakton detyrimin e tatimpaguesve, të cilët kryejnë transaksione shitje me entet publike, prej datës 1 janar 2021 që të lëshojnë vetëm fatura elektronike për mallrat apo shërbimet e shitura.

Po kështu, dhe entet publike, pas kësaj date, për mallrat apo shërbimet e blera nga tatimpaguesit do të pranojnë vetëm faturën elektronike, e cila do të jetë dokumentacion i vetëm i vlefshëm tatimor për furnizimet e marra.

Një nga elementët e domosdoshëm që siguron përdorimin e portalit të faturës elektronike dhe kryerjen e veprimeve me të, është certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit.

“Ky element teknik, shumë i rëndësishëm, për të aksesuar portalin dhe pranuar faturat, sigurohet duke aplikuar online tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nëpërmjet portalit e-Albania”, bën të ditur DPT.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet