G7 mund të humbasë triliona për shkak të mosveprimit ndaj ndryshimeve klimatike

Vendet më të pasura të botës do të duhet të ndërmarrin “veprime dramatike” kundër ndryshimeve klimatike, pasi dështimi për ta bërë këtë do t’u kushtojë atyre një humbje prej 8,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vit deri në vitin 2050, paralajmëroi organizata bamirëse “Oxfam” me qendër në Britaninë e Madhe.

”Kjo shifër është ekuivalente me 4,8 trilionë dollarë”, sipas analizës së kërkimit të “Oxfam” nga instituti zviceran “Swiss Re”. Studimi erdhi përpara Samitit të G7 në Cornwall të Britanisë së Madhe. Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara apo G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

“U bëjmë thirrje udhëheqësve të G7-s që të ulin emetimet e karbonit më shpejt dhe në mënyrë të ndjeshme”, paralajmëroi organizata bamirësie ndërkombëtare. “Oxfam” tha se kjo humbje në PBB është dyfishi i asaj që shkaktoi pandemia, e cila bëri që ekonomitë e të njëjtave 7 vende të ulen me 4,2% mesatarisht.

Studimi hulumtoi se si ndryshimet klimatike do të ndikonin në vendet përmes rreziqeve klimatike graduale, kronike si stresi i nxehtësisë, ndikimet në shëndet, ngritja e nivelit të detit dhe produktiviteti bujqësor. “Ndërsa ekonomitë pritet të tërhiqen nga efektet afatshkurtra të pandemisë, me efektet e ndryshimeve klimatike do të ballafaqohemi çdo vit”, nënvizoi “Oxfam”.

Të gjithë 48 vendet në studim parashikohet të përballen me një tkurrje ekonomike, ku shumë vende pritet të goditen shumë më keq se vendet e G7. Ekonomia e Indisë, për shembull, parashikohet të tkurret me 27% deri në vitin 2050.

Australia, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut janë vendet që parashikohet të humbasin 12.5 për qind, përkatësisht 17,8 dhe 9,7%.

“Oxfam” thekson se për vendet me të ardhura të ulëta, rezultatet e ndryshimeve klimatike mund të jenë shumë më të mëdha, duke cituar një studim nga Banka Botërore në të cilën sugjerohet se midis 32 dhe 132 milionë njerëz të tjerë do të bien në varfëri ekstreme deri në vitin 2030 për shkak të ndryshimeve klimatike.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet