Investimet në ekonomi u rritën me 10.5%

Banka e Shqipërisë vlerëson se investimet totale në ekonomi u rritën me 10.5% në fund të vitit të kaluar.

Sipas BSH-së, investimet dyfishuan normën rritëse në tremujorin e katër të viti 2020, ku kontributin kryesor në rritjen e investimeve totale e dhanë investimet private krahas investimet publike.

Ecuria pozitive vihet re si në investimet në ndërtim ashtu edhe në makineri dhe pajisje. Vlera e shtuar në ndërtim u rrit me 16.9% në tremujorin e parë dhe importi i makinerive dhe pajisjeve u rrit me 36.1%. Prirja pozitive e investimeve pritet të vijojë në tremujorin e dytë.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, të dhëna nga vrojtimet e besimit tregojnë se bizneset kanë rritur normën e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese mbi nivelin e parapandemisë. Të dhëna të importit të makinerive dhe pajisjeve, si dhe të materialeve që përdoren në sektorin e ndërtimit, sugjerojnë për rritje të investimeve në këto dy kategori në tremujorin në vijim.

Ndërsa politika fiskale është projektuar të jetë akomoduese për vitin aktual, në mbështetje të sistemit shëndetësor, si edhe në funksion të rindërtimit të infrastrukturës dhe të shtimit të investimeve publike.

“Politika fiskale pritet ta mbështesë ekonominë në një masë më të lartë nga sa parashikohej në fillimin e vitit. Ndërsa tiparet lehtësuese të politikës fiskale për vitin 2021 ishin më të theksuara në tremujorin e dytë, me aktivizimin më të shpejtë të shpenzimeve për sistemin shëndetësor dhe atyre për infrastrukturën publike e fondin e rindërtimit”, bën të ditur BSH-ja.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet