Luhatjet e lekut ndaj euros dhe dollarit të ekuilibruara

Situata në tregun valutor ka qenë e qetë në tremujorin e tretë të vitit, e karakterizuar nga ecuria relativisht e qëndrueshme e kursit të këmbimit kundrejt euros. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, luhatjet e lekut ndaj valutave kryesore euro dhe dollarë amerikan, kanë qenë pranë vlerës ekuilibër, duke dëshmuar për balancim të kërkesës dhe ofertës në valutë.

“Në tërësi, kjo situatë ka reflektuar shuarjen e pasigurive në treg me heqjen graduale të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e pandemisë. Ndërkohë, zgjerimi i deficitit të llogarisë korrente, (hyrje daljeve te valutës) kryesisht si pasojë e tkurrjes së aktivitetit të turizmit, ka diktuar dobësimin e lehtë të lekut kundrejt euros krahasuar me një vit më parë”- thekson BSH-ja.

Kursi euro/lek është luhatur në një interval të ngushtë, rreth një mesatareje prej 124.0 lekë/euro. Në muajin gusht u regjistrua një mbiçmim i lehtë i lekut kundrejt euros; kursi euro/lek zbriti në mesatarisht 123.8 lekë/euro, duke reflektuar gjallërimin modest të turizmit në këtë muaj.

Ky mbiçmim u prapësua tërësisht në muajin shtator, ku kursi euro/lek u luhat sërish rreth vlerës 124.0 lekë/euro. Ky nivel është ruajtur edhe në javët e para të muajit tetor. Nënçmimi vjetor i lekut kundrejt euros u rrit në 1.9% në tremujorin e tretë të vitit, nga 1.1% në tremujorin e dytë të këtij viti.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet