Pagat e mësuesve rriten me 32%

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “projeksioni i mandatit të tretë është që pagat e mësuesve të rriten padiskutim edhe me 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre”. Gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për arsimin, Rama u ndal te sfidat e mandatit të tretë dhe përmbushjen e objektivave për vitin 2022. “Në projektbuxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni ynë i mandatit të tretë është që pagat të rriten padiskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre. Kjo lidhet jo vetëm me çka ne mund të planifikojmë sot, por edhe me çfarë ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet para, pasi tanimë jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa shumë e impaktojnë jetën tonë ngjarje që janë jashtë mundësive tona për t’u parashikuar dhe që faktikisht imponojnë pastaj ndryshime rrënjësore të planeve”, tha Rama. Ndërsa përmendi situatën e krijuar nga tërmeti dhe nga pandemia, Rama tha se sidoqoftë ne do të vazhdojmë të synojmë objektivat maksimal. “Nëse ky vit mbyllet përsëri me një rritje pagash për ju dhe nëse sot mesatarja bruto e pagës së mësuesve është shumë herë më e lartë se sa kur e nisëm këtë rrugë të përbashkët, edhe çdo vit tjetër do të vijojë të rritet”, tha Rama. E njëjta gjë, sipas tij, “vlen edhe për rritjen e buxhetit në mbështetje të arsimit e shkollave që vazhdon”. “Kjo duke adresuar në të njëjtën kohë disa elementë të procesit, si transporti, që janë elemente që mbeten problematikë në jetën e përditshme të mësuesve e nxënësve që duhet të spostohen në një distancë të caktuar nga vendbanimi tyre”, tha Rama.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet