Pandemia ul remitancat e emigrantëve në nivelin më minimal të pesë viteve të fundit

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga ky zë në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2020 kishin vlerën e 155 milionë eurove, në rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i pesë viteve të fundit.

Metodika e Bilancit të Pagesave klasifikon si të ardhura nga puna kompensimin e punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

Në këtë kategori punonjësish përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë, të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.

Duket se kriza ekonomike e ka ulur kërkesën për punë jashtë vendit, ndërkohë masat kufizuese kundër përhapjes së Covid-19 e kanë vështirësuar lëvizjen ndërkufitare për qëllime të punësimit sezonal. Rënia më e fortë e të ardhurave nga puna ndodhi pikërisht në tremujorin e dytë të vitit, ku shumica e ekonomive europiane ishin nën efektin e masave kufizuese.

Të ardhurat nga puna kanë qenë një burim të ardhurash në rritje të vazhdueshme deri vitin e kaluar. Veç punësimit klasik sezonal, kjo mund të lidhet me zgjerimin e punësimit në distancë, kryesisht në formën e kontraktimit të shërbimeve outsourcing. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga puna janë bërë një zë i rëndësishëm plotësues i remitancave në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente të vendit. Për 9-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga puna përbënin rreth 42% të remitancave, ndërsa këtë vit pesha e tyre në raport me remitancat ka rënë në rreth 33%.

Siç parashikohej, kriza e lidhur me pandeminë e ka përkeqësuar pozicionin e jashtë të ekonomisë shqiptare këtë vit. Deficiti i llogarisë korrente për 9 muaj arriti në 806 milionë euro, në rritje me 8.5% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Deficiti në mallra, që është edhe faktori me ndikimin kryesor në këtë deficit, është ulur me 8.6%, kryesisht për shkak të rënies së importeve. Por, deficiti i llogarisë korrent është rritur për shkak të rënies së të ardhurave nga shërbimet, por edhe të të ardhurave parësore, ku përfshihen të ardhurat nga puna.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet