Projektbuxheti 2021/ Të ardhurat totale 479 miliardë lekë, rritje e financimit për Shëndetësinë, Arsimin, Bujqësinë e Infrastrukturën

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi sot në Kuvend projektbuxhetin e shtetit për vitin 2021. Gjatë prezantimit, ministrja Denaj vlerësoi se ekzistojnë premisat e duhura për një rikuperim të rritjes ekonomike, që prej vitit të ardhshëm. Projektbuxheti për vitin 2021 adreson financime të shtuara për sektorët kryesorë të ekonomisë me impakt në mirëqënie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët.

Sipas saj, projektbuxheti i vitit 2021, parashikon që të ardhurat totale të buxhetit të shtetit të arrijnë 479 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë, ku të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat priten 311 miliardë lekë, dhe ndërkohë të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliardë lekë.

Denaj solli në vëmendje nismat fiskale, që pritet të hyjnë në fuqi në janar të 2021 dhe që u ndërmorën për t’i ardhur në ndihmë biznesit, si një përgjigje për të minimizuar efektet që po shkakton kjo situatë e vështirë, të cilat janë: zerimi i detyrimit të Tatimit mbi Fitimin për biznesin e me xhiro deri ne 14 milionë lekë. Rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë në 10 milionë. Pra, bizneset me të ardhura deri në 10 milionë lekë, nuk do të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe rritja e pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.

“Në lidhje me shpenzimet buxhetore për vitin 2021 janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB. Shpenzimet për investime kapitale janë më të lartat në 10 vitet e fundit. Ndërsa orientimi i shpenzimeve buxhetore drejt sektorëve prioritarë, garanton stimuj pozitivë të sigurt për rritjen ekonomike të vendit në periudhën afatmesme, duke gjeneruar punësim më të lartë dhe të qëndrueshëm”- tha Denaj.

Sipas saj, buxheti 2021 parashikon që shpenzimet e personelit për vitin që vjen, janë 5.5% e PBB. Fondi shtesë vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe pëtrfshin rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, dhe me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar. Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave përfitojnë: 4,650 mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor; 13,765 infermierë dhe laborantë; 35,883 mësues të arsimit parauniversitar.

Ndërsa shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 parashikohen në masën 45.9 miliardë lekë.

Denaj tha se, “gjatë 7 viteve të qeverisjes tonë ky zë është gjithmonë e më i orientuar drejt mirëmbajtjes së aseteve publike siç janë rrugët kombëtare, infrastruktura gjithnjë e në rritje e IT, si dhe në ofrimin e më shumë fondeve për fermerët, për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimin e sportit”.

“Këtu, theksoi ministrja, është materializuar dhe politika e re e Qeverisë për mbështetjen e fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit duke parashikuar një fond prej 1 miliardë lekë”.

Sipas saj, skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 2.4 miliardë lekë. Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020. Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë

Ndërsa shpenzime të tjera sociale përfshijnë: Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë, Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 2 miliardë lekë; Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë; Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë. Ky fond pritet të financojë rreth 30 mijë familje përgjatë vitit 2021.

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë). Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020.

Lidhur me mbështetjen e sektorëve prioritarë, fokus mbeten: Arsimi, ku parashikohen të shpenzohen rreth 2 miliardë lekë ose rreth 3.8% e PBB, rreth 20 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013. Shëndetësia, e cila në vitin 2021 do të përfitojë rreth 7 miliardë lekë ose 3.6% të PBB, duke shënuar buxhetin më të madh në 30 vitet e fundit për këtë sektor. Sektori i Bujqësisë i cili në 2013 merrte rreth 86 miliardë lekë ndërkohë që në vitin 2021 do të perfitojë rreth 13 miliardë lekë, pra më shumë se dyfishi. Në infrastrukturën rrugore, është parashikuar përfundimi i projekteve të punëve publike të rëndësishme, duke hapur njëkohësisht kantiere të reja të mëdha për kompletimin me akse kombëtare, që janë pjesë e axhendës së konektivitetit rajonal dhe europian. Ndërkohë që Rindërtimi, në projektbuxhetin e vitit 2021 parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Krahas 34 miliardë lekë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2020.

Lidhur me përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19, Denaj tha se për vitin 2021, do të financohet nga buxheti rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX).

Ndërsa për Reformën në Drejtësi, prej vitit 2016, Qeveria Shqiptare ka shpenzuar 4.45 miliardë lekë. Në buxhetin e këtij viti, do të vijojmë mbështetjen me një angazhim buxhetor për reformën me 5.3 milardë lekë dhe 668 personel shtesë për institucionet e drejtësisë. Më tej në tërësi buxheti për sistemin e drejtësisë do të jetë 7.5 miliardë lekë në vitin e ardhshëm.

Denaj bëri të ditur se, pavarësisht vështirësive të këtij viti, financimi nga buxheti i shtetit në formën e grantit për pushtetin vendor jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por përkundrazi pëson rritje të lehtë mesatarisht 1.3 përqind krahasuar me 2020.

Gjithashtu, është për tu veçuar fakti se për herë të parë bashkitë do të marrin 800 milion lekë më shumë nga të ardhurat e parashikuara na tatimi mbi të ardhurat personale.

“Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë. Pesha e buxhetit vendor vijon të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013, në 3.3% të PBB-së në vitin 2021. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 25.4 miliardë lekë ose 10% më të larta se sa i pritshmi i vitit 2020 dhe po thuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015. Për vitin 2021, shpenzimet e buxhetit vendor janë parashikuar në masën 56,3 miliard lekë, me një rritje prej 5.3% më shumë se në vitin 2020. Ndërsa për herë të parë njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milionë lekë, rritja e pagave prej 15% do përfshijë edhe arsimin parashkollor i cili tashmë është i decentralizuar dhe i transferuar në qeverisjen vendore”- tha ajo.

Ministrja theksoi se, “Qeveria Shqiptare është e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor që e shpreh përmes këtij projektbuxheti, për rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike dhe rikthimin në parametrat normalë të rritjes. E gjithë kjo natyrshëm përkthehet në një mirëqënie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet