Shqipëria ka hartat digjitale topografike, projekti japonez

Shqipëria ka krijuar për herë të parë hartat digjitale topografike të standardeve bashkëkohore, që i vijnë në mbështetje zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sektorëve ekonomiko-socialë të vendit. Që nga viti 2017, qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë e Japonisë, përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), mbështesin Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapacin (ASIG), për të zbatuar “Projektin për Informacionin Gjeohapësinor dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Tokës në Zonën Tiranë-Durrës”.

Objektivi kryesor i projektit është rritja e aktiviteteve të zhvillimit social dhe ekonomik në këtë zonë, duke shfrytëzuar hartat topografike digjitale në shkallë të gjerë. Projekti gjithashtu ka zhvilluar me sukses kapacitetin e prodhimit të hartave topografike dhe saktësinë e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG). Hartat topografike digjitale të shkallës 1:2000 që mbulojnë 300 km2 u krijuan nga një bashkëpunim i suksesshëm midis Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG) dhe Ekipit të Projektit JICA që përfshin kompanitë lokale. Hartat janë në përputhje me direktivën BE INSPIRE dhe kanë rezolucion e saktësi të lartë.

Ceremonia u zhvillua në selinë e ASIG-ut në Tiranë, ku morën pjesë Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Takada Mitsuyuki, përfaqësuesi Kryesor i Zyrës Ballkanike të JICA, Takeichi Jiro, Drejtori i Përgjithshëm i ASIG Lorenc Çala si dhe aktorë të tjerë të interesuar. Gjatë Konferencës Rajonale për Informacionin Gjeohapësinor, rezultatet e projektit iu prezantuan përfaqësuesve të agjencive kombëtare të informacionit gjeohapësinor të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilët në të njëjtën kohë prezantuan planet e tyre të ardhshme dhe pritjet për asistencë teknike nga JICA.

JICA është Agjencia e Qeverisë së Japonisë, përgjegjëse për zbatimin e ndihmës dypalëshe nëpërmjet Bashkëpunimit Teknik, Huave ODA (të buta) dhe Ndihmës Grant. Deri më tani në Republikën e Shqipërisë, JICA ka shtrirë projekte të ndryshme në fushën e mjedisit, zhvillimit të sektorit privat dhe promovimit të shëndetësisë dhe turizmit. Zyra e Ballkanit e JICA-s mbulon aktivitetet në 6 shtete në Ballkan: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet