Siguria ushqimore/ 155 kontrolle, asgjësohen 49.968 kg produkte ushqimore

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. Sipas AKU, janë realizuar 155 inspektime dhe monitorime në bazë të fushës së veprimtarisë të planit mujor të inspektimit dhe mbi bazën e denoncimeve. “Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 14 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit DDD si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit. Janë marrë 11 mostra në monitorim të produkteve ushqimore”, bën të ditur AKU. Gjithashtu, me kërkesë të vetë subjektit, u krye procedura e asgjësimit të 49.968 kg produkte ushqimore. Inspektorët e drejtorive rajonale përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 1768 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë monitorimit në subjekte, AKU bën të ditur se u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet