Të ardhurat tatimore, ndikim tregtia, ndërtimi dhe prodhimi

Sektorët me kontributin më të madh në të ardhurat tatimore krahasuar me 7-mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi sot përmbledhjen e performancës paraprake 7–mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Të ardhurat tatimore për 7- mujorin 2021 u realizuan në masën 141.5 miliardë lekë, ose 19.7 miliardë (16.2%) më shumë se 7- mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.1 miliardë lekë, ose 1.5% më shumë se plani. Sipas MFE-së, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar u realizuan në masën 31.7 miliardë lekë, ose 7.2 miliardë (29.1%) më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 2.8 miliardë ose 9.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2021.

Rimbursimet për periudhën 7-mujore 2021 arritën 16.1 miliardë lekë, ose 7.4 miliardë lekë (184.1%) më shumë se 7-mujori 2020, si dhe 5 miliardë lekë ose 45.3% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 7-mujorin 2021. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 19.6 miliardë lekë ose 4.2 miliardë lekë (27.3%) më shumë se 7-mujori 2020, si dhe 271 milionë lekë ose 1.4% më pak se plani 2021 për tatimin mbi fitimin.

Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve, rezulton sektori i shërbimit me rritje 34% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 dhe sektori i ndërtimit me rritje 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 23.4 miliardë lekë,ose 4.3 miliardë lekë (22.3%) më shumë se 7-mujori 2020, si dhe 511 milionë ose 2.2% më shumë se plani 7-mujor i 2021.

Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur: të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 151% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020; të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet me rritje 125% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020. Taksat nacionale, për periudhën janar-korrik 2021 u realizua në masën 20.9 miliardë lekë, ose 3.8 miliardë lekë (22.1%) më shumë se 7-mujori 2020, si dhe 0.8 miliardë lekë ose 4% më shumë se plani i përcaktuar për 7-mujorin 2021.

Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 51.1% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 7-mujorit 2021 ka pësuar rritje me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u realizuan në masën 61.9 miliardë lekë, ose 7.6 miliardë lekë (14.1%) më shumë se 7- mujori 2020, si dhe realizim 105.7% të planit për 7- mujorin 2021.

Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin qershor 2021 rezulton rritje me 30,314 vende pune ose 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet