Vrojtimi i BSH-së: 40 deri 60% e bizneseve kredimarrëse u prekën nga situata e COVID-19

Banka e Shqipërisë prezantoi rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e tretë të vitit, mbështetur edhe në opinionin e sektorit bankar mbi ndikimin e pandemisë në financat e bizneseve kredimarrëse në banka. Përpunimi i opinionit të bankave të pyetura në këtë vrojtim, shkon drejt konkluzionit se pandemia ka pasur një ndikim negativ në të ardhurat e rreth 40 deri në 60% të bizneseve kredimarrëse. Një pakicë bankash mendon se ky ndikim negativ kufizohet në rreth 21-40% të bizneseve.

Sipas BSH-së, përkeqësimi i të ardhurave të bizneseve sjell në mënyrë të natyrshme vështirësi të përkohshme në flukset dhe gjendjen financiare të bizneseve. Në të njëjtën kohë, ajo mund të dëmtojë potencialisht dhe perspektivën afatmesme e afatgjatë të vetë biznesit.

Në këto rrethana, bizneset të cilat financojnë një pjesë të aktivitetit të tyre me fonde hua, përfshi dhe kredi bankare, mund të kenë nevojë për lehtësi të përkohshme financiare nga huadhënësit. Në këtë kuadër, bankat u pyetën sesa për qind e bizneseve/klientëve të tyre kishin nevojë të ristrukturonin kreditë aktuale. Tetë prej nëntë bankave që morën pjesë në pyetësor, të cilat zotërojnë rreth 72% të totalit të kredisë akorduar bizneseve, raportuan se përpjesa e klientëve të tyre të cilit kishin nevojë për ristrukturim, apo kishin ristrukturuar kreditë aktuale, luhatet në intervalin 0-20%.

Ndërkohë, një bankë u shpreh se klientët e saj që kishin nevojë për të ristrukturuar kreditë aktuale luhateshin në intervalin 21-40%. Masat e marra deri më tani nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria kanë synuar zbutjen e efekteve negative të pandemisë në ekonomi, si edhe frenimin e përçimit të goditjes nga ekonomia reale në tregun financiar dhe anasjelltas.

Bankat të pyetura për ecurinë e kreditimit në të ardhmen nuk e shohin bilancin e tyre si faktor pengues në kreditim. Sipas opinionit të tyre, faktori më i rëndësishëm që pritet të përcaktojë këtë ecuri është performanca e treguesve makroekonomikë, e lidhur kryesisht me ecurinë e sektorëve specifikë të ekonomisë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet