A do të arrijë Laschet një qeveri me të gjelbrit dhe FDP-në?

Pavarësisht humbjes në zgjedhjet parlamentare gjermane, kreu i Demokracisë Kristiane (CDU) Armin Laschet deklaroi se ai synon të zhvillojë bisedime me Partinë e Gjelbër dhe ”Demokratët e Lirë” (FDP) pro biznesit për të formuar një qeveri koalicioni.

“Në ditët e ardhshme ne do të flasim me FDP-në dhe të gjelbrit. Oferta jonë e bisedimeve është e vlefshme dhe unë mendoj se bisedimet konkrete tani janë gjëja e duhur për të bërë”, theksoi Lachet pas një takimi me partinë simotër CSU.

“Ne nuk i fituam këto zgjedhje”, tha Laschet, por shtoi se në një situatë kaq konfuze, partitë duhet të jenë gati për të vepruar.

Synimi i Laschet për të biseduar me dy partitë e tjera vjen pavarësisht rezultatit më të keq elektoral të CDU-së, pritshmërisë që partia mund t’i bashkohet opozitës dhe pyetjeve në lidhje me të ardhmen politike të Laschet.

Blloku konservator ra në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave në 24,1 për qind në zgjedhjet e Bundestagut, ndërsa social-demokratët (SPD) fituan mbështetje, krahasuar me zgjedhjet e fundit, me 25,7 për qind.

Diferenca e ngushtë e fitores së SPD-së ka çuar në një situatë të rrallë, ku Scholz dhe Laschet kanë thënë se duan të përpiqen të formojnë një qeveri koalicioni, ndoshta e përbërë nga tre parti.

Laschet po kërkon bisedime me FDP-në dhe të gjelbrit për të formuar atë që njihet në Gjermani si një ”aleanca xhamajkane”, pasi ngjyrat e partive përputhen me ato të flamurit të vendit të Karaibeve. Kreu i SPD-së, Olaf Scholz ndërkohë mbështeti fuqishëm një koalicion “semafori” midis SPD -së së tij, të gjelbërve dhe FDP-së.

“Mund të jetë një qeveri në të cilën mblidhen tre parti që kanë ide të ndryshme, por të vendosura ndaj përparimit të vendit”, tha ai. SPD dhe të gjelbrit i shohin ndryshimet klimatike dhe çështjet ekologjike si qendrore, ndërsa FDP-ja përmend të drejtat civile dhe modernizimin e vendit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet