Liderët botërorë premtojnë një veprim klimatik ambicioz

Presidenti Joe Biden nisi dje samitin e klimës me 40 drejtues botërorë duke premtuar se do të përgjysmojë emetimet e gazeve me efekt serrë deri në fund të dekadës, një nga shumë premtimet e marra gjatë takimit në internet për të luftuar ngrohjen klimatike.

“Shkencëtarët na thonë se kjo është dekada vendimtare. Kjo është dekada që ne duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të këqija të krizës së klimës”, theksoi Biden, duke e cilësuar si një “moment rreziku”.

Takimi dy-ditor ka për qëllim bashkimin e ekonomive të mëdha për të vendosur qëllime më ambicioze për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe është konsideruar si një përgatitje e rëndësishme përpara konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën në Glasgow në nëntor.

Biden theksoi se SHBA do të bënte pjesën e saj për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës ekzistenciale të kohës moderne duke ulur emetimet me 50% deri në 2030 krahasuar me nivelet e 2005. Takimi bashkoi një sërë zërash, disa prej tyre kritikë të Uashingtonit, nga presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin te presidenti brazilian, Jair Bolsonaro.

“Kina, emetuesi më i madh në botë i gazrave të dyoksidit të karbonit, do të kontrollojë rreptësisht projektet e saj të energjisë me qymyr”, theksoi presidenti Xi, duke shtuar se gjatë pesë viteve të ardhshme vendi do të shpejtojë reduktimin e konsumit të qymyrit.

Kryeministri Kanadez Justin Trudeau njoftoi se vendi i tij do të zvogëlojë emetimet me 40 deri në 45 % krahasuar me nivelet e vitit 2005, duke rritur një synim të mëparshëm prej 30%.

Përpara samitit, Bashkimi Europian zyrtarisht u zotua të paktën një ulje 55% të emetimeve deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990. Në fjalimi e saj, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen argumentoi për një shënjestër të përbashkët globale të emetimeve në fjalimin e saj.

Britania e Madhe, ndërkohë, theksoi se po synon deri në vitin 2035 të ulë emetimet me të paktën 78% në raport me nivelet e vitit 1990. Premtimi i emetimeve të Biden dyfishon premtimin e bërë nga ish-presidenti i SHBA, Barack Obama, por i jep administratës aktuale pesë vjet më shumë për të përmbushur qëllimin e saj.

Në vitin 2015, SHBA ishte zotuar të ulte emetimet e gazeve me efekt serrë 26-28% në vitin 2025, krahasuar me nivelet e vitit 2005, si një kontribut në Marrëveshjen globale të Parisit. Një nga veprimet e para të Biden në detyrë ishte kthimi i vendit të tij në marrëveshjen e klimës 2015, nga e cila paraardhësi i tij, Donald Trump, ishte tërhequr.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përshëndeti angazhimin e ri të SHBA, duke e cilësuar atë një sinjal të rëndësishëm për komunitetin global se SHBA ishte përsëri në tryezën e bisedimeve kur erdhi puna për ndryshimin e klimës.

Ajo vuri në dukje se Gjermania kishte zvogëluar emetimet e veta të gazrave me efekt serrë me rreth 40% krahasuar me nivelet e vitit 1990 dhe ajo do ta vazhdonte në këtë rrugë. Presidenti francez Emmanuel Macron bën thirrje për një koordinim më të madh.

“Të veprosh për klimën do të thotë gjithashtu të rregullosh – dhe në një nivel ndërkombëtar”, theksoi ai. Kryeministri japonez Suga Yoshihide theksoi se vendi i tij tani do të synojë të reduktojë emetimet e gazrave me efekt serrë me 46% në krahasim me nivelet e vitit 2013 deri në 2030, një rritje nga një synim i mëparshëm prej 26%.

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae In njoftoi gjithashtu ulje të mëtejshme të shkarkimeve për të arritur qëllimin e kombit për neutralitetin e karbonit deri në 2050.

“Ndryshimi i klimës është një sfidë që do të vazhdojë të pushtojë të gjithë edhe pas pandemisë”, theksoi papa Françesku në një mesazh me video, duke u bërë thirrje njerëzve të marrin përgjegjësinë për natyrën dhe të bëjnë më shumë për të mbrojtur mjedisin.

Shkencëtarët thonë se bota nuk po lëviz mjaft shpejt për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimit të klimës duke mbajtur ngrohjen nën 2 gradë mbi nivelet para-industriale.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet