Për herë të parë një ministre e Jashtme

Koreja e Veriut ka emëruar një grua, Choe Son Hui, si ministre të Jashtme dhe kjo për herë të parë, raportoi media shtetërore, pasi Pheniani po vazhdon një seri testesh armësh bërthamore dhe po injoron thirrjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bisedime.

”Choe, një ish-zëvendësministre e Jashtme, u emërua për të udhëhequr diplomacinë e Koresë së Veriut në një takim të partisë në pushtet të kryesuar nga lideri Kim Jong Un”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA.

Ajo zëvendëson Ri Son Gwon, një ish-zyrtar ushtarak i linjës së ashpër që udhëhoqi negociatat me Korenë e Jugut.

Një diplomate karriere që flet rrjedhshëm anglisht, Choe ishte këshilltare e ngushtë e Kim Jong Un gjatë bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shoqëroi liderin e Koresë së Veriut në samitet me ish-presidentin Trump.

Koreja e Veriut, që posedon armë bërthamore, ka kryer një sërë testesh që nga fillimi i vitit, përfshirë lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale, për herë të parë që nga viti 2017.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet