Ruçi: Me Turqinë, partnere në NATO, për sigurinë e paqen

Me rastin e Ditës së Republikës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Şentop.

“Shpallja rreth një shekull më parë, më 29 tetor të vitit 1923, e Republikës së Turqisë prej burrit të madh të shtetit, Mustafa Qemal Ataturk, ishte një sukses historik i Turqisë. Si Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, Ataturk hodhi themelet për një shtet të pavarur, laik, modern dhe krijoi premisat për zhvillimin e prirjeve liberale e demokratike në Turqi”, tha Ruçi.

“Populli shqiptar dhe Kuvendi i Shqipërisë ndjekin me gëzim arritjet e Turqisë mike, partneres së Shqipërisë në NATO, dhe urojnë avancim të mëtejshëm në rrugën e progresit, mirëqenies e demokracisë si dhe mirëpresin rritjen e kontributit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, u shpreh Ruçi.

Ruçi shtoi se, “themelimi i Republikës së Turqisë kremtohet në një kohë të vështirë për Turqinë, Shqipërinë, rajonin, Europën dhe botën, betejën me pandeminë e COVID-19. Siç edhe kemi pasur kënaqësinë të diskutojmë, shpresojmë dhe urojmë që vendet tona dhe popujt e tjerë të planetit, ta fitojnë këtë betejë të vështirë dhe të rikthehen në jetën normale”.

“Gjithashtu, kam kënaqësinë të konstatoj se Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë kanë rifilluar dhe do të vazhdojnë të intensifikojnë bashkëpunimin e shkëlqyer midis tyre”, përfundon letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet