Samiti për klimën, ende në tryezë qasja e kujdesshme ndaj çështjes së qymyrit

Grupet negociatore, pjesmarrën në samitin e OKB-së për klimën, diskutuan të shtunën rreth propozimeve e reja që do të çojnë në nënshkrimin e një marrëveshjeje, që mund të thuhet me siguri, se do të avancojë përpjekjet në mbarë botën për të trajtuar çështjen e ngrohjes globale.

Pas përpjekjesh diplomatike mes palëve edhe pas afatit zyrtar që përfundoi të premten në mbrëmje, zyrtarët britanikë që kryesuan bisedimet në Glasgou të Skocisë, publikuan një projektmarrëveshje.

I dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry dhe homologu i tij kinez, Xie Zhenhua, treguan një optimizëm të kujdesshëm të premten në mbrëmje lidhur me negociatat në vazhdim.

Në një propozim të paraqitur më parë përfshihet një gjuhë e diskutueshme në marrëveshje, duke u bërë thirrje vendeve, që të përshpejtojnë heqjen nga përdorimi të qymyrit, nëse ai nuk shoqërohet me teknologji që neutralizon gazet e dëmshme. Po kështu në projektpropozim bëhej thirrje për ndaljen e subvencioneve joefikase për lëndët djegëse fosile.

Por në një shtesë të re që iu bë teksit të marrëveshjes, thuhet se vendet do të njohin "nevojën për mbështetje drejt një tranzicioni të drejtë", një referencë ndaj thirrjeve të përfaqësuesve të industrisë së karburanteve fosile, për mbështetje financiare, në kushtet kur do t’u duhet të mbyllin vende pune e biznese.

Alok Sharma, zyrtari britanik që kryesonte bisedimet, tha se shpresonte se vendet do të arrinin një marrëveshje ambicioze në Glasgou. Disa përfaqësues organizatash thanë se propozimet aktuale nuk ishin mjaftueshëm të forta.

"Këtu në Glasgou, vendet më të varfra të botës rrezikojnë të largohen nga vëmendja, por orët e ardhshme mund dhe duhet të ndryshojnë kursin në të cilin ndodhemi", tha këshilltarja e lartë e politikave në organizatën Oxfam, Tracy Carty. "Ajo çka është aktualisht në tavolinë nuk është mjaft e mirë", shtoi ajo.

Por mundësia e përmendjes së lëndëve djegëse fosile në mënyrë qartë, dhe për herë të parë në një vendim që do të dalë nga Konferenca vjetore e OKB-së mbi klimën, është pritur mirë nga disa ambientalistë. “Është e dobët dhe e komprometuar, por ne e shohim atë si një urë, një përparim disi”, tha Drejtoresha Ekzekutive e Greenpeace, Jennifer Morgan.

Në samit pati debate në çështjen e mbështetjes financiare të kërkuar nga vendet e varfra, kryesisht për ndikimet katastrofike të ndryshimeve klimatike që ato do të pësojnë gjithnjë e më shumë në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dy nga emetuesit më të mëdhenj të dioksidit të karbonit në botë, vazhdojnë të kenë rezerva të thella mbi këtë çështje. /Shqiptarja.com/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet