BE: objektivat për klimën, zgjidhja për çmimet e larta të energjisë

Ministrat e mjedisit të disa vendeve të BE-së mbrojtën objektivat e përbashkëta të klimës, duke theksuar se fokusi në mbrojtjen e mjedisit është një zgjidhje për rritjen e çmimeve të energjisë. “Energjitë e rinovueshme dhe zgjerimi i guximshëm i këtyre energjive na bëjnë më pak të varur nga importi i lëndëve djegëse fosile dhe për këtë arsye janë zgjidhja e problemit”, tha ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze, para një takimi ministror në Luksemburg. “Ne nuk duam që dikush të përfitojë nga kjo situatë për të rrezikuar angazhimin tonë të madh për kalimin në energjitë e rinovueshme dhe dekarbonizimin e ekonomisë sonë, përkundrazi”, vuri në dukje ministrja spanjolle e Mjedisit, Teresa Ribera. Çmimet e energjisë, veçanërisht çmimi i gazit, janë rritur me shpejtësi që nga fillimi i vitit. Konsumatorët po fillojnë tashmë të ndjejnë efektet, në formën e faturave më të larta të energjisë elektrike dhe ngrohjes. Disa shtete anëtare të BE-së, si Polonia dhe Hungaria, kanë fajësuar rritjen e çmimit të dyoksidit të karbonit në tregtimin e emetimeve, ndër faktorë të tjerë, për këtë prirje. Sipas skemës së tregtimit të emetimeve të BE-së, furnizuesit e energjisë elektrike, për shembull, duhet të paguajnë për emetimin e gazrave serrë, siç është dyoksidi i karbonit. BE planifikon ta shtrijë këtë sistem në ndërtesa dhe transport rrugor, siç është tashmë rasti në Gjermani.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet