Rregulli i ri, në Lungomare nga 20 korriku muzika deri në 23:00

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj protestës së pronarëve të lokaleve në Lungomare në Vlorë të cilët janë kundër vendimit në fuqi që ndalon muzikën në lokale apo ambiente të tjera publike pas orës 22:00. Rama tha se “e drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit”. “Protestë në Lungomare për muzikën? Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë”, tha Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike”. Bizneset përgjatë Lungomares në Vlorë vendosën që të mbyllin aktivitetin e tyre që prej orës 8 të mëngjesit deri ditën e nesërme në shenjë proteste për të ndryshuar rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet