Abu-Dabi vendos Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë jeshile, jo karantinim për shtetasit shqiptarë

Emirati i Abu-Dabit e ka vendosur Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë jeshile, që do të thotë se shqiptarët që udhëtojnë drejt këtij vendi aziatik nuk do ta kenë të detyrueshëm karantinimin. Lajmi u dha sot nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila njofton se duke filluar nga dita e sotme Emirati i Abu-Dabit e ka vendosur Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë jeshile.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kjo do të thotë që në momentin e hyrjes në territorin e këtij vendi, shqiptarët nuk do ta kenë të detyrueshëm karantinimin. MEPJ thekson se, përpara çdo udhëtimi në vendet e BE-së dhe në vende të tjera të botës, qoftë për turizëm apo punë, qytetarët duhet të sigurohen të kenë informacionin e duhur për destinacionin e tyre.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga situata e krijuar prej kufizimeve të lëvizjes së lirë të udhëtarëve jashtë vendit, me qëllim parandalimin e situatave problematike, informon në kohë reale për çdo ndryshim të këtij regjimi që lidhet me lëvizjen e qytetarëve shqiptarë.

“Këshilli i BE-së ka rekomanduar Shqipërinë në listën e vendeve të cilat mund të rifillojnë lëvizjen e lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Kujdes! Disa prej vendeve të BE-së mund të kenë protokolle specifike edhe pas këtij rekomandimi të fundit, ndaj duhet të lexoni informacionet e përditësuara rast pas rasti dhe sipas çdo shteti. Gjithkush ka përgjegjësinë individuale dhe kolektive për t’i respektuar këto rregulla”, thekson MEPJ.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet