Mbi 73 përqind e popullsisë shqiptare e imunizuar, gati doza e tretë

Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptarë është e imunizuar. Shifrat flasin për një përqindje prej 73.3%. Një dozë tjetër përforcuese mund tu jepet moshave të treta dhe atyre që kanë sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë prezantimit të fazës së tretë të rezultateve paraprake mbi: “studimin seroepidemiologjik të gjendjes imunitare ndaj virusit SARS-COV-2 në popullatën shqiptare”, Akademia e Shkencave theksoi se “testimi serologjik i cili përcakton antitrupat e pranishëm në gjak ndaj virusit SARS-CoV-2 është një ekzaminim që jep informacion të vlefshëm mbi shkallën e imunizimit specifik të popullatës në ecurinë e Pandemisë nga COVID-19. Qendra Kërkimore e Imunologjisë dhe Imunogjenetikës pranë Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës së Akademisë së Shkencave ka monitoruar që në 6-mujorin e parë të Pandemisë nivelin e seroprevalences se antitrupave anti SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare”.

“Në të tre fazat e studimit të seroprevalencës në një kampion sinjifikativ të popullatës urbane të Qytetin e Tiranës, u aplikua e njëjta metodologji. Në fazën e tretë të studimit që filloi në 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 u thirrën për testim 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjeç të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes. Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%. Sipas të gjitha gjasave kjo përqindje pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas valës së tretë të COVID-19 që u shkaktua nga varianti Alfa dhe përpara valës aktuale Delta”, theksohet në studim.

ASH sqaron se “nga kjo mund të konkludojmë se aktualisht nevojitet një imunizim i shpejtë vaksinal i të paktën 20% të popullatës shqiptare akoma të pavaksinuar me qëllim arritjen e pragut të ri të imunitetit kolektiv qe vlerësohet në rreth 90% të popullatës për variantin Delta”.

“Për të parandaluar reinfektimet në individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjec, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Kjo është në përputhje me rekomandimet aktuale shkencore ndërkombëtare. Gjithashtu të planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratuara për këto mosha. Siç sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore”, – nënvizon studimi i Akademisë së Shkencave.

Po ashtu ASH shprehet se “vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjeç t’u rekomandohet prindërve vetëm për ata të rinj që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe sidomos për ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet