Pesë vende të BE-së bëjnë thirrje për rritjen e prodhimit të vaksinave

Pesë vende të Bashkimit Europian (BE) i bënë thirrje bllokut që të sigurojë fonde për shtimin e prodhimit të vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe që të përshtatin programet e vaksinimit me llojet e reja të virusit.

Letra e nënshkruar nga kryeministrat e Spanjës, Belgjikës, Danimarkës, Lituanisë dhe Polonisë, në të cilën kërkohen më shumë pajisje prodhimi iu dërgua presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe liderëve të tjerë evropianë para samitit të liderëve të BE-së që do të mbahet përmes video-konferencës më 25-26 shkurt.

Duke theksuar rëndësinë e punës së përbashkët me Komisionin Europian për trajtimin e problemit të kapaciteteve prodhuese, në letër thuhet se, “Ne duhet të punojmë ngushtë me të gjithë prodhuesit e mundshëm të vaksinave në Evropë, duke rritur partneritetin publiko-privat”.

Ndërsa vendet e BE-së, të cilat filluan vaksinimin kundër COVID-19 në dhjetor të vitit 2020, deri më tani janë shumë prapa synimeve të tyre, ata po përjetojnë probleme të logjistikës, personelit dhe furnizimit.

“Ne duhet të jemi të gatshëm t’i shohim hapur mënyrat e mundshme dhe nevojën për të siguruar fonde për lehtësimin e përpjekjeve. Qasja duhet të reflektojë se nuk duhet të lejojmë që ta humbasim këtë betejë”, thuhet më tej.

BE deri më tani ka marrë 40,7 milionë nga 106 milionë doza të vaksinave që pret të marrë në tremujorin e parë të vitit.

Ajo është përqendruar në prodhimin e vaksinave me 16 fabrika në BE për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet